Kurti nga Kuvendi i Shqipërisë: Të bëhemi bashkë më shumë e jo vetëm për festa

Prishtinë | 27 Nën 2022 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e përbashkët plenare mes ligjvënësve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë ka marrë fjalën edhe kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë thirrje që shqiptarët të bëhen bashkë jo vetëm për festa, dhe jo vetëm në rang politikanësh.

Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo e sotmja nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste, por edhe një ditë reflektimi.

Ai u shpreh se duhet të gëzohemi kur përfshihemi, siç tha ai, sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit.

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gur”, tha ai.

Kurti, tutje tha se duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanë, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjerin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh tutje ai.

Të ngjashme