Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Postën e Kosovës, nga ku tha se kjo ndërmarrje publike këtë vit po e mbyll me rreth 1 milion euro fitim, ndryshe nga viti i kaluar që ishte rreth 800 mijë eurot fitim, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se Posta e Kosovës operon me 166 zyra, 16 prej tyre në Veri të Kosovës, për çka edhe dha lëvdata për vendimet e Qeverisë që drejtonte ai.
“Bashkëbisedua hapur për suksesin e kësaj ndërmarrjeje publike që këtë vit e përmbyll me 1 milionë euro fitim. Posta e Kosovës i ka 850 punëtorë, nga të cilët më shumë se gjysma janë postierë. Përveç kësaj, është për t’u përshëndetur që po zgjerohet rrjeti i shërbimeve postare. Janë ndërprerë rrjedhjet financiare, janë shuar strukturat ilegale, nuk pranohet as posta e Serbisë, dinari nuk është mjet pagese dhe nuk ka pasur valutë sepse Posta e Kosovës ishte aty ku ofronte shërbimet. Është për tu përshëndetur fakti që po zgjerohet rrejti i zyrave dhe i shërbimeve postare. Gjithsej i kanë në Kosovë 166 zyra prej të cilave 16 janë në veri të Ibrit në Republikën e Kosovës. Janë ndërpre rrjedhjet financiare, janë shuar strukturat ilegale. Nuk operon në Kosovë as posta e Serbisë e as kursimorja postare e Serbisë dhe dinari më nuk është mjet pagese dhe nuk ka pasë vakum sepse Posta e Kosovës ishte aty të ofrojë të gjitha shërbimet të cilat dikush konsideronte se mund të mungojnë atëherë kur të ndërpritet ilegaliteti që kishim në të kaluarën. Dua ta përgëzoj menaxhmentin dhe bordin, të gjithë bordin, për këto suksese. Duhet përmendur që Posta e Kosovës është shërbim publik universal, i shpejtë, i sigurt dhe i lirë, pra nuk e mat dërgesën me koston që ka, por me dobinë për qytetarët”, ka thënë ai.
Ministrja në detyre, e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se dy çështje janë thelbësore për zhvillimin dhe të ardhmen e Postës së Kosovës, rikthimi i besimit dhe qëndrueshmëria financiare.
“Dua të cek dy gjëra të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e postës, por edhe për të ardhmen. E para, besimi është rikthyer, këtë e shohim çdo ditë, por edhe nga kërkesat e ndërmarrjeve serioze dhe brendeve të mëdha për të bashkëpunuar me postën. Është e rëndësishme që posta përgjatë këtyre tre viteve ka arritur fitim, ka investuar 1.6 milionë euro investime vetanake. Për fund, një pasqyrë e përgjithshme: në 10 vitet paraprake vazhdimisht ka operuar në humbje deri në katër milionë në vit dhe ka akumuluar mbi 24 milionë euro. Dy vitet e fundit ka rreth 2 milionë euro fitim.”
Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci, deklaroi se institucioni ka shënuar përmirësim të ndjeshëm financiar pas më shumë se një dekade humbjesh.
Ajo bëri të ditur se në vitin 2023 Posta kishte arritur bilanc pozitiv prej 300 mijë eurosh, ndërsa këtë vit fitimi ka arritur rreth 1 milion euro.
“Sot kam kënaqësinë të prezantoj rezultatet financiare. Ka qenë vit sfidues, por edhe i suksesshëm. Posta e Kosovës ka rrjet të gjerë të zyrave postare, me 166 zyra postare. Kemi rritje të zyrave postare me 30 përqind. Shërbimi ofrohet 365 ditë të vitit. Pas më shumë se një dekade humbjesh, në vitin 2023 arriti bilancë 300 mijë euro, ndërsa këtë vit ka shumëfishim në 1 milion euro. I përmendëm disa nga sfidat, ku patëm një sulm në Zveçan, i cili cenoi sigurinë fizike, ku ne e aktivizuam zyrën në afat rekord. Sa i përket investimeve kapitale, kanë arritur 1.6 milionë euro investime kapitale në mjetet e punës: motoçikleta, vetura. Shtesë, kemi investuar edhe në teknologji, në mënyrë që shërbimi për qytetarët të jetë sa më i shpejtë dhe më efikas. Besueshmëri në institucionin tonë besoj që kemi arritur.”

