Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar Parkun Industrial në Suharekë ku ka premtuar mbështetje për prodhuesit vendës, raporton Ekonomia Online.
Kurti gjatë kësaj vizite është shoqëruar nga ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari dhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
“Erdhëm këtu në parkun industrial në Suharekë në të cilin janë mbi 50 biznese, që kanë investuar mbi 50 milionë euro dhe të cilët sigurojnë të ardhura për 1 mijë punëtorë. Jemi në Fabrikën “Solid”, bashkë me ministren Hajdrari dhe kryetarin e komunës dhe me Gresën, që na njoftoi me procesin e prodhimit për vështirësitë për plasimin në treg të produkteve”, tha ai.
Ai tha se është absurde që një kompani që eksporton në vende të ndryshme, të mos ketë mbështetjen e Kosovës.
“ Solid, gjysmën e prodhimit i ka për të treg të brendshëm dhe gjysmën për tregun e jashtëm, që flet për cilësinë e prodhimit, i cili e merr lëndën e parë nga Italia dhe ka punëtorë që kanë përvojë shumë të mirë profesionale. Ne shprehëm përkushtimin ta ndihmojmë prodhimin vendor. Kjo duhet të reflektohet në ligje të reja, sa i përket prokurimit publik, në mënyrë që të mos jenë të diskriminuar brenda vendit prodhimet vendore. Është absurde që prodhimet shiten gjithandej Evropës të mos kenë mbështetjen dhe përkrahjen brenda vendi tonë”, Kurti .
Gresa nga kompania “ Solid” ka falënderuar për vizitën dhe ka thënë se prodhuesit vendorë do të ndihmohen që të mos ndalet ky proces.
“Ne si kompani e kemi vazhduar punën, shpresojmë shumë që pas këtij takimi ekonominë e Kosovës prodhuesit vendor do të ndihmohen që të mos ndalen kjy proces që të jemi më të përgatitur për vitin e ardhshëm”, tha ajo.
Kurse, ministrja Rozeta Hajdari tha se ka kuptuar shumë për problemet e bizneseve në kohën e pandemisë sa i përket mungesës së legjislacionit.
“Ishim këtu për të dëgjuar shqetësimet që ka biznesi në kohën e pandemisë. Kuptova shumë për problemet që i kanë me legjislacion. zotohem se do të rregullojmë Ligjin oë Tregun e Brendshëm, Ligjin për tregun e jashtëm, politikat industriale në favor të prodhuesve tonë”, tha ajo.
Kurse kryetari i Suharekës, Bali Muharremi ka thënë se kompania Solid ka dhënë donacion për dezinfektim gjatë kohës së pandemisë.
“Unë premtoj në mënyrë publike kjo do të jetë zona më e mirë industriale”, tha ai.