Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga viti i ardhshëm shkollor, gjuha e kodimit do të futet në kurrikulat e arsimit në Kosovë, që nga klasa e parë, raporton Ekonomia Online.
Në aktivitetet e Orës së Kodimit me nxënësit e Shkollës Profesionale “Gjin Gazulli”, që mbahet në kuadër të shënimit të javës së Orës së Kodimit në Kosovë, shefi i ekzekutivit theksoi se në Kosovë janë 20 mijë profesionistë në fushën e TIK-ut dhe 4 mijë studentë në fakultete e kolegje.
“Janë mbi 1 500 kompani biznesi në Kosovë të cilët operojnë në fushën e teknologjisë së i formacionit dhe komunikimit, ku 3/4 e tyre bëjnë eksporte të shërbimeve për korporatat e fuqishme anë kënd-botës. Janë 20 mijë profesionistë në Kosovë në fushën e TIK-ut dhe 4 mijë studentë në fakultete e kolegje”, u shpreh Kurti.
“Këtë javë përmes Orës së Kodimit në Kosovë, keni parë zhvillimin e potencialin dhe lindjen e inovacionit për të ardhmen. Edhe talenti i individit vjen në shprehje, por edhe bashkëpunimi nxënësve për produktin e njëjtë. Jemi optimist për suksesin që do ta kemi në të ardhmen sepse Qeveria do të fokusohet në transformimin digjital ku e bën më të lehtë dhe më cilësor. Duke e parë interesimin dhe potencialin, prej vitit të ardhshëm, gjuha e kodimit do të futet në kurrikulë sepse nga klasa e parë qysh mësohet gjuha shqipe, ashtu të mësohet edhe gjuha e kodimit”, tha Kurti.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, u shpreh se kjo iniciativë është jetësuar për herë të parë në 300 shkolla.
“Ora e Kodimit nisi në vitin 2013 nga organizata ndërkombëtare si një nismë revolucionare në teknologji. Synimi kryesor ishte krijimi i një lëvizje globale që i inkurajon të gjithë të mësojnë kodimin dhe teknologjinë duke filluar nga fëmijëria e hershme. Si Ministre e Arsimit jeni shumë të lumtur që kjo iniciativë u jetësua për herë të parë në këtë vit në mbi 300 shkolla”, u shpreh ai.