Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën zyrtare në Londër, ku është pritur nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme britanike ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e forta ndërmjet dy vendeve.
“Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik dhe jemi të përkushtuar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit”, ka deklaruar ai.
Duke folur për zhvillimin ekonomik, Kurti ka theksuar rritjen e buxhetit dhe rishpërndarjen e tij, si dhe ka veçuar sektorët me potencial.
“Vendi ynë po shënon zhvillim të qëndrueshëm, me theks të veçantë në sektorin e teknologjisë dhe atë të bujqësisë”, ka theksuar Kurti.
Ai ka nënvizuar edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, përfshirë ushtrimet e përbashkëta dhe mbështetjen për Ukrainën.
“Po bashkëpunojmë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar për trajnime dhe mbështetje për Ukrainën”, ka thënë ai.
Në aspektin e zhvillimit demokratik, kryeministri ka vlerësuar zbatimin e Ligjit për të Huajt.
“Procesi i zbatimit të plotë, gradual dhe pa përjashtime të Ligjit për të Huajt është dëshmi e përkushtimit tonë institucional”, është shprehur Kurti.
Sa i përket synimeve strategjike, ai ka theksuar rëndësinë e integrimeve euroatlantike.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimi Evropian mbetet thelbësor për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë”, ka deklaruar ai.
Kurti e ka informuar gjithashtu palën britanike për, siç ka thënë, kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, të mbështetura nga Rusia.
Ai ka përmendur edhe çështjen e dialogut, duke përsëritur kushtet për vazhdimin e tij.
“Dorëzimi i Milan Radoiçiqit, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit janë parakushte për vazhdimin e procesit”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se Kosova është e përkushtuar për një marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë.