Kurti: Nuk do të kem ekspoze të re realisht, paga mesatare në sektorin publik do të kalojë mbi 1 mijë euro

Prishtinë | 13 Sht 2026 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës plenare për zgjedhjen e qeverisë së re, ka prezantuar ekspozenë e programit të tij qeverisës për mandatin e ardhshëm, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë e nisi fjalën e tij duke sqaruar se kjo seancë shënon vazhdimësinë e qeverisjes ekzistuese, ndërsa paraqiti vizionin e tij ekonomik dhe rëndësinë e rishpërndarjes sociale.

“Të nderuar deputetë, nuk do të kem ekspozé të re realisht, ngaqë këto zgjedhje të përsëritura vetëm se na e kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë. Vizioni ynë në këto vite të qeverisjes sonë të përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona krijojnë shtet e qytetarë të sigurt dhe shoqëri e familje të begatë. Ky mandat është për të kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, investimet dhe prodhimtarinë në zakonin e ndërmarrësisë. Rishpërndarja sociale në bindjen tonë të fuqishme, sikurse edhe në programin dhe projektet tona, nuk është barrë për zhvillimin ekonomik, por është karburanti i saj. Duke e shpërndarë rritjen ekonomike e kemi zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë dhe e kemi rritur kërkesën agregate në ekonomi, e cila më tej e ka sjellur shtimin e qarkullimit të bizneseve dhe rritjen e mëtejme të ekonomisë. Ne nuk subvencionojmë pasurinë, por punën që e krijon atë. Jo rezultatet e veçanta private, por mënyrën universale publike. E kur shteti garanton investimin, rreziku zvogëlohet dhe guximi rritet”, tha ai.

Në vijim të fjalës së tij, Kurti u ndal te bilanci ekonomik i pesë viteve të fundit dhe projeksionet për rritjen e bruto produktit vendor:

“Këto pesë vitet e fundit, nga të cilat pothuajse një vit e gjysmë ishim si qeveri në detyrë, pra pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon përkundër sfidave të shumta sikurse pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni, me një rritje mesatare prej 6% të bruto produktit vendor, duke mos rënë nën 4%, e në çerekun e parë sivjet rritja ekonomike ishte 5.4% të bruto produktit vendor. Kur e morëm përgjegjësinë për të udhëhequr vendin, bruto produkti vendor ishte rreth 7 miliardë euro. Vjet me punë të ndershme dhe politika të drejta ka arritur në 10 miliardë euro, ndërkaq projektojmë që sivjet bruto produkti vendor arrin në 12 miliardë euro.”

Sa i përket punësimit, rritjes së pagave dhe tavanit të ri për shtesat e fëmijëve e lehonave, kryeministri në detyrë zbuloi zotimet konkrete sociale.

“Sa i përket punësimit, kemi shtuar punësimin nga 350 mijë në 430 mijë të punësuar me fokus te rinia dhe gratë, si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes — duke ngritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat janë në këtë mandat që po e përmbyllim kanë shënuar rritje mesatare prej 47% — të shpërndajnë mirëqenie dhe ta ngrenë sigurinë sociale për popullsinë mbarë. Kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1000 euro në muaj. Rritjen ekonomike, siç e dini, nuk e kemi mbajtur për shtet, por e kemi shpërndarë në popullsi. Dhe shtesat për fëmijë që sot janë 30 deri 45 euro për çdo fëmijë, në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë. Pra nga 0 sa i gjetëm në 45, dhe në mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për fëmijë te familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijë. Gjithashtu edhe shtesat për nënat e reja, lehonat, nga 1 korriku i kemi rritur në 500 euro në muaj për 6 muaj.”

Për sa i përket transformimit industrial, mbështetjes për prodhuesit dhe lehtësirave doganore e tatimore, Kurti paraqiti paketën e re financiare.

“Të nderuar deputetë, punuam për nënat e fëmijët, për veriun, ushtrinë dhe bujqësinë. E këto do të vazhdojnë edhe në mandatin e ri, për të cilin e kërkoj mbështetjen tuaj këtu sot, që ta nisim transformimin më të madh ekonomik e industrial në vendin tonë. Prodhimi është themeli i zhvillimit tonë ekonomik. Banka Zhvillimore do t’i financojë drejtpërdrejt projektet strategjike, do t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme përmes bankave dhe do t’u japë prodhuesve e eksportuesve letër garanci për pagesë. Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kreditë për investimet në kapacitete të reja, përfshirë industrinë krijuese dhe skemat e subvencionimit të pagave. Investitori që prodhon dhe punëson do t’i lehtësohet marrja e kredisë dhe do t’i ulet kostoja e saj. Me amortizimin e përshpejtuar, një pjesë më e madhe e investimit do të zbritet në vitet e para, kur biznesi ka më shumë shpenzime dhe më shumë nevojë për mjetet qarkulluese. Terminalet doganore ia kemi kthyer shtetit dhe kemi nisur përgatitjet për modernizimin e tyre. Pas çbërjes së monopolit të arkave fiskale, vendosim faturimin elektronik ndërmjet bizneseve, me mbikëqyrje të detyrimeve në kohë reale dhe rimbursim më të shpejtë të tatimit mbi vlerën e shtuar. Pagesa e TVSH-së për mallrat që hyjnë në kufi do të kalojë në deklarimin brenda vendit dhe në muajin pasues. Për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10%, ndërkaq ligji për çmimet tavan do t’i mbrojë qytetarët dhe tregtarët e ndershëm nga abuzimi me marzhat.”

Në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, kreu i ekzekutivit njoftoi zhvillimin e valutës digjitale dhe ndërtimin e qendrave të reja teknologjike.

“Do ta nisim zhvillimin e valutës digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë e zinxhirit të blloqeve për pagesa dhe shërbime digjitale. Në qendër të Prishtinës do të ndërtohet Kulla TIK, pra Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, për kompanitë që rriten dhe punësojnë. Kompanive të teknologjisë do t’u ofrohen hapësira edhe në qytete të tjera, ndërsa shpenzimet për trajnimin e punonjësve do t’u njihen si shpenzime të zbritshme. Fondi i Inovacionit do t’i mbështesë të rinjtë, ndërmarrjet e reja dhe bizneset e vogla në zhvillimin e prodhimeve, shërbimeve dhe mënyrave të reja të punës. Në kuadër të parqeve të inovacionit dhe teknologjisë do të vazhdojmë ndërtimin e qendrave të inovacionit, inkubatorëve teknologjik të biznesit dhe industrial në komuna e universitete. 15 sosh në total deri në end të mandatit të ardhshëm. Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren do të zhvillohet edhe qendra e parë e Kosovës për hulumtim dhe zhvillim në fushën e energjisë në bashkëpunim me partnerët gjermanë, Akademinë dhe profesionistët e mërgatës.”

Teksa shpalosi planin për sektorin e aviacionit, Kurti paralajmëroi krijimin e një kompanie ajrore shtetërore.

“Brenda mandatit do ta nisim themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik në partneritet me kompani me përvojë nga vendi dhe bota. Krahas kësaj do të investojmë në shkollimin, trajnimin dhe certifikimin e specialistëve të aviacionit civil që Kosova të krijojë kuadrot e veta dhe një sektor të qëndrueshëm të aviacionit.”

Lidhur me transportin publik, ai propozoi vendosjen e një bilete unike shtetërore për të gjithë qytetarët.

“Me programin Anembanë do të krijojmë rrjetin e bashkuar të transportit publik në tërë vendin. Do të nisim me trafikun urban në secilën komunë dhe do të vazhdojmë me trafikun ndërorban. Me një biletë mujore të përbashkët dhe të subvencionuar, me synim çmimin prej 10 eurosh, qytetari do të mund të udhëtojë nëpër Kosovë pa blerë biletë tjetër.”

Sa i përket investimeve kapitale në turizëm, kryeministri në detyrë veçoi projektet madhore në zonat malore të vendit.

“Mandatin do ta nisim me projektin e madh Brezovica. Investimet deri në 500 milionë euro do të përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat dhe një rrjet bashkëkohor teleferikësh, përveçse renovim e ndërtim të hoteleve. Në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna do të zhvillohet qendra turistike Dukagjini, duke i respektuar kërkesat e mbrojtjes së natyrës. Me grante do t’i shndërrojmë stanet në bujtina ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharri. Investimet në infrastrukturë, bujqësi e mbrojtje të natyrës do të gjallërojnë edhe Gollakun dhe Shalën e Bajgorës”, tha Kurti.

Ndërsa për diasporën, ai paraqiti skemat e reja mbështetëse për investimet dhe lehtësimin e procedurave për shtetësinë.

“Përmes dritares për investime të diasporës do të mbështeten deri në 100 milionë euro investimet e mërgatës në Kosovë. Shteti do të jetë garantues i kredive të marra për këtë investime. Me anëtarësimin në zonën e vetme të pagesave në euro apo SEPA siç njihet ndryshe me akronim, rreth 60 milionë euro do t’u kursehen mërgimtarëve nga shpenzimet e dërgesave të parave. Do të zgjerojmë mësimin e gjuhës shqipe në bashkëpunim me Shqipërinë, do t’i digjitalizojmë shërbimet konsullore dhe do të zbatojmë kthimin me automatizëm të shtetësisë për ata që e kanë humbur për shkak të kufizimeve të shtetit ku jetojnë ose rrethanave historike.”

Për sa i përket politikave familjare dhe përkrahjes së grave në tregun e punës, Kurti prezantoi masa të reja si skema për gjyshërit dhe “Superpuna”.

“Programi Generata për generatë do t’i mbështesë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e moshës 13 deri në 36 muaj, kur natyrisht të dy prindërit punojnë. Secila gjyshe ose secili gjysh do të marrë 100 euro shtesë në muaj. Nënat lehonë pa punë, sipas zotimit tonë, filluan të mbështeten me 500 euro në muaj për 6 muaj, pra me gjithsej 3000 euro në vit, përveçse shtesave për fëmijë. Shtesat për fëmijë, siç e theksova më herët, do të dyfishohen: nga 30 euro në 60 euro dhe nga 45 euro në 90 euro. Brenda 6 muajve të parë të mandatit do të nisë programi Superpuna për gratë. Programi do ta mbulojë pagën minimale për 6 muaj për gratë e çdo moshe që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës. Krahas mbështetjes për vajzat në studime, gratë në biznes, nënat, artistet dhe sportistet, kjo masë do t’u japë grave të ardhura për lloj pune dhe mundësi më të mëdha për pavarësi ekonomike.”

Në mbyllje të ekspozesë së tij, Albin Kurti u ndal te mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, heqja e tatimit mbi pagën minimale dhe plani për pagat shtesë në sektorin publik e privat.

“Paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet. Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik ku paga mesatare, sipas pritjes së tanishme, do ta kalojë shumën prej 1000 euro në muaj. Raporti ndërmjet pagës më të ulët dhe asaj më të lartë është përmirësuar nga 20 me 1 sa e patëm gjetur, në 4 me 1. Pra për 50% është rritur paga mesatare, ndërkaq pabarazia është zvogëluar pesëfish. Në këshillim me bizneset dhe punëtorët do të ndërmarrim nismën për pagën e 13-të në sektorin publik dhe privat që do të vazhdojë edhe në vitet në vijim me synimin që më pas të planifikohet edhe paga e 14-të. Paga e 13-të në sektorin publik ju e dini që ka nisur tashmë sivjet, pra në vitin 2026. Do të mund të shkojmë më lart se kaq, por më poshtë se kaq nuk biem dot. Fondi i Sigurimeve Shoqërore do ta mbështesë punëtorin pas humbjes së vendit të punës dhe do të mbulojë pushimin e lehonisë e pushimin prindëror. Numri i inspektorëve do të rritet deri në 200, ndërsa ligji i ri i punës dhe sistemi digjital i raportimit do ta forcojnë mbrojtjen në punë dhe kushtet e dinjitetshme të punës”, shtoi ai.

Të ngjashme