Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot tubim në Malishevë, ku fillimisht para qytetarëve të pranishëm në sallë u bë prezantimi i kandidatëve për deputetë të kësaj komune.
Më pas në skenë u ngjit lideri i partisë, njëherësh edhe pretendenti për postin e kryeministrit të vendit në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, i cili shpalosi disa prej pikave të programit të tij qeverisës.
“Nuk do të ketë familje pa kulm mbi kokë e pa dikë të punësuar, ne do të ofrojmë punësim të garantuar për një anëtarë të familjes, për çdo familje në skemë sociale. Do të ndajmë mirëqenien duke paguar shtesat për fëmijë dhe do të heqim tatimin për të ardhurat deri në 300 euro sepse askush nuk duhet paguar për ekzistencë”.
“Papunësia është në nivel të përgjithshëm por i rëndon më së shumti gratë. Edukimi cilësor sjell liri e pavarësi ekonomi, e këto sjellin pastaj barazi gjinore. Prandaj ne do të investojmë në edukim cilësor duke përmirësuar infrastrukturën në shkolla dhe duke kontrolluar cilësinë aty”.
“Për vajzat dhe gratë që shkëlqejnë në shkenca natyrore ne ofrojmë 1000 bursa që të studiojnë brenda e jashtë vendit. Do të fuqizojmë ligjin për trashëgimi kulturore e do të heqim varësinë”, u shpreh ai.Klan.Kosova.