Kurti: Nuk do t’i kënaq miqtë e Putinit

Prishtinë | 05 Qer 2023 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur sërish për situatën në veri.

Një artikull për situatën e veriut i ka kushtuar edhe gazeta britanike “The Times”.

Artikulli i gazetarit Richard Spencer, “Nuk do t’i kënaq miqtë e Putinit”.

Shkrimi nis duke e përshkruar dukjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri i Kosovës e ka dukjen e një nxënësi të shkollës që është lënduar sepse ka menduar që ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur e megjithatë e kupton se askush s’e do”, tha Kurti.

Tutje thuhet se Kurti është “i papenduar” për veprimet e tij, e ku në artikull flitet edhe për masat e ShBA-së, ndër të tjera përjashtimi i FSK-së nga një ushtrim (Defender Europe 23), i udhëhequr nga NATO-ja.

“Na vyen ndihma e ShBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtimin e kënaqjes së autokratëve”, ka thënë Kurti.

Spencer përshkruan krejt zhvillimet e fundit në Kosovë dhe veprimet e kryeministrit Kurti që sipas tij kanë bërë që ai të denoncohet ashpër nga zyrtarët perëndimorë, bile edhe më ashpër se fjalët që i kemi dëgjuar në publik.

“Emisarët e Perëndimit shpërthyen, duke e quajtur Kurtin të papërgjegjshëm, dhe privatisht, edhe më keq”.

Gazetari thekson se i pari i qeverisë së Kosovës ia përsëriti atij të njëjtat fjalë, duke mos u lëkundur nga qëndrimet.

Por, diplomatët duket se po ashtu janë të rëndë në komente.

“Por, (kriza e fundit) nuk e ka vënë vetëm Kurtin kundër Vuçiqit, por e ka vënë edhe Kurtin kundër forcave që me intervenimin e tyre ushtarak kundër ish-liderit serb Sllobodan Millosheviq më 1999, çuan drejt pavarësisë së Kosovës”, shkruan gazetari Spencer.

“Diplomatët thonë që Kurti, 48 vjeçar, që garoi me premtimin për anti-korrupsion, po provon ta bëjë veten si Zelenskyin e ri. Ata thonë që Kosova është shumë ndryshe nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut se sa si Donbasi. Të kërkosh nga serbët që ta harrojnë Beogradin është njësoj si të kërkosh nga katolikët irlandezoveriorë që ta harrojnë Dublinin.”, shkruan tutje në artikullin e The Times përcjell klankosova.

Të ngjashme