Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe para Teatrit Kombëtar, me rastin e vdekjes së aktorit Adem Mikullovci, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se mbrëmë morën lajmin e trishtuar për vdekjen e Mikullovcit.
Ai ka thënë se me veprimtarinë e tij artistike, Adem Mikullovci me të drejtë mund të quhet Charlie Chaplini i ynë.
“Mbrëmë vonë pas mesnate e morëm lajmin e trishtuar që baca Adem, veprimtari e politikani deputeti i të dy republikave u nda fizikisht nga jeta. Ai shumë ka kontribuar për artin dhe vendin tonë saqë puna e tij ngelet me neve për neve dhe brezat që do të vijnë. Filmat dramat komeditë e tij,e bëjnë bacin të denjë për ta quajtur Chaplini ynë. Sot këtu ne bëmë nderime për jetën dhe veprën e tij. Nuk ka as një aktor tjetër që ka qenë pranë dhe me popullin sikurse Adem Mikullovci. Ai e ka njohur mirë atë që ka bërë artin. Andaj ky artist dhe politikan do të na mungojë shumë gjatë”, ka thënë Kurti.