Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të proceseve institucionale dhe veprim kundër interesave të vendit, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se kundërshtarët politikë, sipas tij, synojnë ta eliminojnë politikisht atë dhe qeverisjen e tij, duke përdorur edhe hapësirat mediatike.
“Kuptohet për mua refuzojnë gjithmonë, nuk duan të më shohin me sy e dalin në televizionet e tyre për të thënë se si unë u dashka të eliminohem me çdo mjet. Refuzuan votimin, siç e dini, edhe për 1.1 miliard euro marrëveshje ndërkombëtare dhe e çuan vendin në ato zgjedhjet e kaluara. Refuzuan buxhetin, refuzuan rritjen e pensioneve, desh na i humbën dhjetëra milionë të mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, përveç atyre mbi 100 milionë për energji. Bindja ime e fuqishme është se qëndrimet e tyre vijnë nga frika. Frika e tyre nga fitorja jonë është më e madhe se dashuria e tyre për vendin. Më të madhe e kanë frikën dhe urrejtjen ndaj nesh sesa atë dashurinë për Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se kundërshtimi politik lidhet me refuzimin e marrëveshjeve dhe posteve që, sipas tij, përfshinin interesa të ngushta.
“Vetëm e vetëm se nuk pranuam pazaret e oligarkëve, ndarjen e terminaleve doganore dhe postet e ambasadorëve. Ata u bashkuan të gjithë kundër nesh: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe. Jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta rikthyer atë në burim privat pasurie”,u shpreh Kurti.
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë përpara pavarësisht kundërshtimeve politike.
“Përballë këtij fronti të errësirës, ne me dritën e Naimit apo edhe me dritën e Sokratit i themi popullit: nuk ka kthim prapa, ka vetëm ecje përpara”.
Ai u kundërpërgjigj edhe kritikave për izolim ndërkombëtar, duke thënë se Kosova është më e pranishme se kurrë në skenën globale.
“I keni dëgjuar panumër herë teksa thonë: ‘Kurti po e izolon Kosovën’. Unë u përgjigjem: Kosova kurrë nuk ka qenë më e pranishme dhe më e mirëpritur në kancelaritë e botës sesa tani. Të përfaqësuar me dinjitet në nivelin më të lartë, teksa jemi në udhë të mbarë madje edhe me vendet mosnjohëse për njohje të reja, por edhe për integrimet evropiane e euroatlantike”, thekson ai.
Ai shtoi se izolimi i vetëm është nga dukuritë negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Nëse vërtet doni të gjeni ndonjë izolim, po, jemi të izoluar nga korrupsioni. Jemi të izoluar nga pazarllëqet e natës, po. Jemi të izoluar nga krimi i organizuar, po. Por jemi të hapur ndaj vlerave, jemi të hapur ndaj dinjitetit, jemi të hapur për punë dhe për bashkëpunim”, thotë Kurti.
Kurti tha se opozita ka penguar edhe proceset për zgjedhjen e Presidentit, duke e quajtur sjelljen e saj “bllokim të vazhdueshëm”.
“E edhe nga opozita kërkuam bashkëpunim për Presidentin, por ata nuk na e ofruan asnjë emër. Apo edhe kur flisnin për ndonjë emër, nuk i ofruan asnjë nënshkrim. Hapjes sonë ata iu përgjigjën me bllokim e vetëm me bllokim. Prandaj edhe quhen ‘blloku opozitar’”, tha ai.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka nominuar Albin Kurti si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.
Haxhiu tha se Kurti ka ruajtur të njëjtin përkushtim ndaj interesit publik që nga koha e angazhimit të tij në protesta e deri te drejtimi i Qeverisë së Kosovës.
“Pra njeriu që dikur fliste në protesta, në demonstrata, është i njëjti që sot merr vendime shumë të rëndësishme në qeverinë e Republikës së Kosovës me qëndrueshmëri dhe i pathyeshëm. Nga angazhimi studentor deri te udhëheqja e qeverisë, ai ka treguar të njëjtën vendosmëri dhe të njëjtin përkushtim ndaj interesit publik. Dhe pikërisht kjo krijoi lidhjen e tij me qytetarët, veçanërisht me ata që për shumë vite kishin humbur besimin se politika mund të sjellë ndershmëri, përgjegjësi dhe ndryshim real. Prandaj të dashur aktivistë, me bindje të plotë politike, me respekt për rrugën tonë të përbashkët dhe me besim në vullnetin e qytetarëve, propozoj që kandidati ynë për Kryeministër të Republikës së Kosovës të jetë Albin Kurti”, tha Haxhiu.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, pasi u nominua kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti tha se përmbushja e misionit politik të Lëvizjes Vetëvendosje është detyrim historik ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar.
“Është një detyrim historik ky që kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën i kemi të përqendruar te qëllimi ynë më sublim: përparimi i kombit tonë. Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim t’i kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat na janë shfaqur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë e me punë pa u dorëzuar asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë”, tha ai.
