“Kurti, Osmani dhe Sveçla e liruan një të dyshuar për terrorizëm”

Prishtinë | 28 Dhj 2022 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i lartë i PDK-së, Betim Gjoshi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj ish-zyrtarit policor, Dejan Pantic për t’i zëvendësuar masën e sigurisë, nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak.

Ai ka thënë se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Xhelal Sveçla janë personat fajtorë për mungesën e sovranitetit në katër komunat veriore të Kosovës.

”Një herë dështuan t’i mbajnë zgjedhjet, e sot paskan dështuar zyrtarisht segmentin tjetër të shtetit, duke e liruar një të dyshuar për terrorizëm. Po-po, lirim është! Mos u fshehni pas termave dhe procedurave ligjore.” ka shkruar ai.

Tutje, ai pretendon se nuk është arrest shtëpiak sepse Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme nuk do të jetë në gjendje ta verifikojë se i dërguari në arrest shtëpiak do t’i përmbahet masës së dhënë.

Ndryshe, Pantic u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjithashtu arrestimi i Pantic, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Të ngjashme