Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do ta lejoj vizitën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, në Kosovë.
Kurti në Klan Kosova, tha se Vuçiq nuk është person i dëshiruar në Kosovë. Kurti tha se një nga arsyet se pse Vuçiq, nuk është i dëshiruar në Kosovë, është mohimi i masakrave që kanë ndodhur nga regjimi serb në të kaluarën.
“Ne nuk e kemi një kërkesë së tillë. Duke e parë gjendjen, nuk ka pse të vijë në Kosovë, ai që e ka mohuar masakrën e Reçakut. Ai që 2 vite thotë por nuk e bën kërkesën. Unë nuk do t’ia jap lejen, por ai njëherë le ta bëjë kërkesë”, tha Kurti.
Ditë më parë Vuçiq, kishte shprehur gatishmërinë për ta vizituar Kosovën gjatë muajit qershor të këtij viti.
Sipas Kurtit, Vuçiqi nuk ka bërë asnjëherë kërkesë (gjatë qeverisjes së tij) për ta vizituar Kosovën.