Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për medie ka paraqitur planin i cili, sipas tij, duhet të realizohet në fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Sipas tij pjesë e pajtueshmërisë nacionale për këtë proces nuk duhet të jetë presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri.
Kurti ka thënë se fillimisht duhet të raportohet në Kuvend për këtë dialog, që nga fillimi i tij më 2011 e deri më sot, si dhe të publikohet një dokument që e vlerëson këtë proces, raporton Ekonomia Online.
“Dihet se së fundmi e kanë paralajmëruar finalen e dialogut, mbase kjo do të jetë jetë një çerekfinale e vogël. Është e domosdoshme që të bëhet bilanci i dialogut prej vitit 2011 deri më tani, të raportohet në Kuvend. 33 marrëveshje janë bërë, pak janë realizuar”.
Kurti vlerësoi se duhet që Kosova të zhvillojë dialog me BE-në për dialogun me Serbinë. Sipas tij, kjo do të ishte në interes edhe të BE-së, e cila ka shprehur interesim për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Të zhvillohet dialog me BE-në për dialogun me Serbinë. S’mund të vazhdohet me dy kuptimësi. Procesi quhet herë dialog teknik, herë politik, duhet të sqarohen shprehjet. Dialogu paraprak me BE-në është i nevojshëm për vetë BE-në që ka shprehur interesim për integrimin e Ballkanit Perëndimor”.
Sipas tij, më pas duhet të realizohet dialog i brendshëm demokratik, ku do të përfshiheshin të gjitha kategoritë e shoqërisë, si shoqatat e familjeve të të pagjeturve, shoqata e ish të burgosurve politikë, komunitetin e biznesit, kryetarët e komunave të Kosovës, pakicat kombëtare etj, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mënyrë, sipas Kurtit, do të arrihej pajtueshmëria nacionale për përfaqësim në dialog, por, sipas tij, kjo pajtueshmëri nuk duhet ta përfshijë Hashim Thaçin dhe Edita Tahirin, raporton EO.
“Dialogu me Beogradin i la serbët në harresë. Në këtë mënyrë do të ndërtohen pajtueshmëria nacionale për përfaqësimin në dialog, kjo s’mund t’i përfshijë Hashim Thaçin dhe Edita Tahirin”.
“Të njeriut që nuk e ngriti çështjen e personave të zhdukur, njeriu që i heshti krimet e Serbisë në Kosovë dhe nuk e paditi Serbinë, njeriu që i frikësohet Gjykatës Speciale, njeriu që është protagonist i aferës pronto, njeriu që e mbështeti Zajednicën që doli antikushtetuese. Ky njeri s’mund të përfaqësojë. Është i domosdoshëm plani 4 plus 1”.
Në këtë konferencë Kurti ka thënë se partive politike janë duke iu dërguar ftesat për tryezën e së premtes, e cila organizohet nga VV-ja, siç tha ai, për të caktuar zgjedhjet dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza.
“Ne besojmë që kjo qeveri s’është më legjitime, s’e ka shumicën e nevojshme. Jemi të interesuar për zgjedhje, por sot do të fokusohem në planin 4+1. Ne kërkojmë mbështetjen e qytetarëve, deputetëve, ne do të kërkojmë mbështetje për planin që është i vetmi që garanton zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme”.
Kurti ka thënë se partia e tij nuk është e ndarë dhe se janë të gatshëm më shumë se kurrë për zgjedhje, raporton EO.
“Ne asnjëherë s’kemi qenë më të gatshëm për zgjedhje se tani. Zgjedhjet e brendshme nëpër parti duhet t’i nënvendosen zgjedhjeve parlamentare. VV nuk është e ndarë, ka pasur dalje. VV s’ka qenë kurrë më e fuqishme, le të mbahen zgjedhjet, do ta shihni”.