Kurti pas rënies në Indeksin e Lirisë së Shtypit: Fajtor janë mediat, jo qeveria

Prishtinë | 10 Maj 2025 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar si shqetësuese rënien e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit, por ka theksuar se, sipas tij, përgjegjësia nuk qëndron te qeveria, por te vetë mediat.

Kurti u deklarua për herë të parë pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, sipas të cilit Kosova ka shënuar një rënie të ndjeshme në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, duke u renditur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete – një rënie prej 24 pozicionesh krahasuar me një vit më parë.

Ai shtoi se, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, kabineti i tij nuk përfshin asnjë pronar mediash, duke theksuar se raportet ndërmjet pushtetit dhe mediave janë të distancuara dhe profesionale.

“Është për keqardhje rënia e theksuar në indeksin e medias. Në Kosovë ekziston liria e shprehjes dhe e mediave – unë jam dëshmitar i kësaj nga përvoja dhe jeta këtu. Kjo rënie është në kontradiktë me realitetin që përjetojmë, dhe këtë kontradiktë duhet ta adresojnë vetë mediat”.

“Në Kosovë, mediat janë të lira. Rënia e tyre nuk është rezultat i kontrollit nga qeveria, por rrjedhojë e ndikimit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizmit. Ne e shohim median si një pasuri të shoqërisë, por edhe vetë media duhet ta trajtojë profesionin si një detyrë,” deklaroi Kurti.

Të ngjashme