Kurti për 8 Marsin: Tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, drejtësia është përgjegjësi e Republikës

Prishtinë | 09 Mar 2026 | 10:38 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se drejtësia e barabartë nuk është parim abstrakt, por përgjegjësi konkrete e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se drejtësia e barabartë nënkupton zbatim të plotë të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj në çdo institucion, mos tolerim të dhunës në familje dhe diskriminimit, si dhe ndjekje penale të rasteve të tilla.

“Në ditën ndërkombëtare të gruas flasim për drejtësi të barabartë, jo si një parim abstrakt, por si një përgjegjësi e Republikës së Kosovës. Drejtësia e barabartë në Kosovë do të thotë që të drejtat e garantuara nga kushtetuta dhe ligji të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, në çdo komunë dhe në çdo stacion policie. Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë. Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucione publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar”, tha ai në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Kurti shtoi se drejtësia e barabartë nënkupton tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, zbatim të urdhrave mbrojtës, mbështetje për të mbijetuarat dhe përgjegjësi për autorët e dhunës, si dhe barazi në paga dhe qasje në shërbime shëndetësore.

“Do të thotë tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, jo vetëm deklarata, por urdhra mbrojtje, të drejta të zbatuara. Autorët e dhunës mbahen përgjegjës, të mbijetuarat mbështeten me ndihmë ligjore të qasshme dhe strehimore me mundësi ekonomike. Do të thotë ligje pune që garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë, kujdes shëndetësor që respekton dinjitetin e grave dhe ligji për familjen që mbron barazinë, si dhe institucione drejtësie të lira nga paragjykimi dhe nga ndikimi. Drejtësia e barabartë nuk është vetëm një çështje e grave, është një masë e demokracisë sonë, rrugës sonë evropiane dhe e të ardhmes sonë.

Pra do të thotë që të drejtat e shkruara në letër duhet të zbatohen në praktikë. Gjatë mandatit tonë fuqizimi i grave dhe i vajzave ka qenë prioritet konkret, me politika, buxhet dhe me rezultate të matshme”, tha ai.

Zëvendësshefja e Zyrës së EU në Kosovë, Eva Palatova, tha se gratë që shërbejnë në politikë, institucione, akademi, kulturë dhe sport, kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin e zhvillimit dhe jetës demokratike të Kosovës.

“Nga organizatat e shoqërisë civile te gratë që shërbejnë në politikë, institucione, akademi, kulturë dhe sport, gratë kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin e zhvillimit dhe jetës demokratike të Kosovës. Dita Ndërkombëtare e Gruas nuk është vetëm një festë, por edhe një mundësi për të reflektuar së bashku se si të vazhdojmë të avancojmë barazinë gjinore, drejtësinë dhe mundësitë për të gjitha gratë dhe vajzat në Kosovë. Në këto kohë të një reagimi global kundër barazisë gjinore, dua t’ju siguroj se për Bashkimin Evropian, barazia gjinore mbetet një vlerë themelore dhe pjesë integrale e procesit të zgjerimit të BE-së. Avancimi i të drejtave të grave, sigurimi i mundësive të barabarta dhe mbrojtja e grave nga dhuna nuk janë vetëm prioritete sociale, por edhe tregues të institucioneve të forta demokratike dhe të një shteti funksional të së drejtës”, tha ajo.

Drejtoresh Ekzekutive ABGJ, Edi Gusia, tha se promovimi i agjendës së barazisë gjinore kërkon nga të gjithë përkushtim dhe angazhim të përditshëm për zbatimin e kornizës ligjore që garanton barazinë gjinore në mënyrë sistematike, me përgjegjësi dhe llogaridhënie.

“Promovimi i agjendës së barazisë gjinore kërkon nga të gjithë ne përkushtim dhe angazhim të përditshëm për zbatimin e kornizës ligjore që garanton barazinë gjinore në mënyrë sistematike, me përgjegjësi dhe llogaridhënie. Sot, më shumë se kurrë, kur globalisht po përballemi me kthim mbrapa në agjendën e barazisë gjinore, kemi nevojë për mbështetje sistematike të rregullt të kësaj agjende. Kemi nevojë për riafirmim të gatishmërisë për mbështetje, inkurajim dhe financim të kësaj agjende, fillimisht duke u solidarizuar me njëra-tjetrën, duke u angazhuar për drejtësi gjinore e posaçërisht duke mbështetur organizatat e grave”, tha ajo.

Të ngjashme