Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arratisja e të dënuarit për vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemin gjyqësor, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka theksuar se situata po bëhet edhe më e rëndë kur këto raste nuk po përbejnë përjashtim, andaj reformën në drejtësi e sheh si urgjencë.
“Në javën që po e lemë pas, kuptuam që njëri nga personat më famkeq në botën e krimit i cili u dënua për vrasjen e policit, Triumf Rizës është arratisur. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi. Qeveria e Kosovës angazhohet për çdo ditë për të përfshirë të gjithë qytetarët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij qëllimi. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të martën.