Kurti për “Bloomberg” kushtëzon rikthimin në Dialog me dorëzimin e Radoiçiqit

Prishtinë | 04 Tet 2024 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kritikat ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të pakicës serbe nga qeveria e tij ishin të tepërta, një koment që ka të ngjarë të shqetësojë mbështetësit perëndimorë që kanë bërë thirrje për përmbajtje, shkruan “Bloomberg”.

Lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga ShBA dhe Bashkimi Evropian se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.

“Ata janë shumë të shqetësuar”, tha Kurti për “Bloomberg” në një intervistë në Varshavë të mërkurën, por e cila u publikua sot (e premte). “Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më e mirë se kurrë më parë”.

Kurti mbrojti veprimet e tij si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh. Ai gjithashtu këmbënguli se hapat janë të nevojshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës.

“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, tha ai.

Presidenti serb Alleksandar Vuçiq ka akuzuar vazhdimisht Kurtin se po i bën presion komunitetit serb “tashmë në pakësim” për t’u larguar nga Kosova. Ai kërkoi gjithashtu zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja sipas së cilës komunitetit serb i lejohet njëfarë autonomie.

Muajin e kaluar, Vuçiqi i kërkoi qeverisë në Prishtinë që të mbajë zgjedhje lokale në komunat veriore. Ideja e tij nuk pranohet nga Kurti. Votimi në komunat veriore do të bëhet vetëm gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në vjeshtën e vitit të ardhshëm, tha ai.

“Vuçiqi dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, tha Kurti, duke shtuar se koha kur presidenti serb ka ndikim në punët e brendshme të Kosovës “ka kaluar prej kohësh”.

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja në 2013, serbët ranë dakord të merrnin pjesë në qeveritë lokale dhe qendrore në Kosovë, por u larguan në vitin 2021 për shkak të diskriminimit të pretenduar dhe që atëherë kanë bojkotuar dy palë zgjedhje.

Për t’u kthyer në dialog, Kurti kërkoi nga Serbia dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të vitit të kaluar pranë manastirit të Banjskës në veri. Ai i kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është dashur të ndodh dje”, ka thënë Kurti. “Unë besoj se është e mundur”.

Të ngjashme