Kryeministri Albin Kurti ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media ku ka folur për “marrëveshjen sekrete” të nënshkruar nga ish-kryeministri Thaçi me NATO-n, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se është në dorën e Ligjvënësve nëse do ta dërgojnë në Kushtetuese këtë marrëveshje.
“Nuk është duke shkuar FSK-ja në veri të Ibrit, por është ish kryeministria ai që tha se nuk do të shkojë FSK-ja në një letër që nuk është bërë publike për deputetët. Tash e kanë 120 deputet edhe opinionin ligjorë edhe letrën e dërguar Osmanit. Ne nuk do të ndërmarrim veprime pasi kemi marrëdhënie shumë të mira me NATO-n, por duam të jemi transparent, është në dorën e ligjvënësve që të mund të marrin hapa të tillë, unë nuk e përjashtoj por është obligim i imi si kryeministër”, tha ai.
Kurti tha se kjo marrëveshje tregon se ideja për shkëmbim territoresh e proklamuar paska pasur zanafillë.
“Kjo marrëveshje tregon që ‘Zajednica’ dhe shkëmbimi territorial nuk janë dy gjëra të ndryshme, paskemi pasur një zbrazje të një ardhme me 19 prill 2013, kjo ishte ideja për shkëmbim territorial e paska pasur një zanafillë. Unë e publikova meqë mu bë e pamundur ta diskutojë me presidentin, po të ishte i gatshëm të takohej me mua nuk do ta publikoja pa e diskutuar me presidentin”, tha ai.
Kurti tregoi se letrën këmbimin e mori nga një zyrtar i NATO-s, e nuk e gjeti në zyrën e tij.
“Unë me të letër këmbim se kam gjetur në zyrën time por më është dhënë nga një zyrtarë i NATO-s për të cilin jam falënderues”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për marrëveshjen për hekurudhën dhe për linjën ajrore.
“Rezerva ime për përmbajtjen e atyre marrëveshjeve vjen për disa arsye, e para pasi ne ishim qeveri e re, s’mund të jem në ceremoninë e nënshkrimit kur nuk jam në origjinën e diskutimit. Për çështjen e fluturimit Prishtinë-Beograd, kam shprehur rezervat pasi aty përmendet një operator specifik”, tha ai.
Ndërsa për takimin me Odën Ekonomike tha se nuk e kanë diskutuar për tarifën 100%
“Me Odën Ekonomike biseduam për shumë çështje, fokusi nuk ka qenë tarifa 100%. Reciprociteti nuk është për hakmarrje por është për barazi, gjëja më normale dhe më e natyrshme”, tha ai.
Kurti u pyet nga gazetarët edhe për raportimet se zëvendëskryeministrat do t’i kenë nga 30 këshilltarë, por edhe për përdorimin e veturave zyrtare pas orarit.
“Nuk do t’i kenë nga 30 këshilltarë. Sa i përket veturave duhet ta hulumtoj ketë gjë”, tha ai.
Kurti tha se do ta fillojë dialogun me serbët e Kosovën, ndërsa paralajmëroi vizitë edhe në veri të vendit.
“Ne do fillojmë dialogun prej poshtë, do të shkoj gjithandej nëpër Kosovë edhe në veri por nuk do të shkoj me FSK-në”, tha ai.