Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do ta procedojë sërish në Kuvend Kodin Civil, duke theksuar se vendit i nevojitet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile. Ai ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë për të diskutuar për këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Kurti këto komente i bëri në përgjigje të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, i cili e kritikoi Qeverinë për planet që të procedojë Kodin Civil, ligjin për fertilizimin e asistuar dhe Ligjin për Gjendjen Civile, duke pretenduar se këto nisma cenojnë vlerat e familjes tradicionale.
Kurti tha se Kodi Civil përfshin një numër të madh dispozitash që rregullojnë marrëdhëniet juridike të qytetarëve, përfshirë pronën, kontratat, marrëdhëniet familjare dhe trashëgiminë, ndërsa ka kërkuar që shqyrtimi i tij të mos përqendrohet vetëm në një apo dy nene.
“Kodi civil nëse nuk e kam gabim i ka 997 faqe, 1 mijë e 630 nene, ka mundësi që ndihmon nëse i lexoni dhe i shqyrtoni. Përqendrimi në vetëm një dy nene është rrezik t’ju bëhet obsesion, nuk ndihmon ajo. Ky është vetëm një sugjerim. Nuk është e thënë të pajtohemi në gjithçka secili. Në fillimin e javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në ministri të drejtësisë ku do të diskutojnë gjithçka dhe do ta risjellin në kuvend”, u kundërpërgjigj Kurti.
Ai ka folur edhe për rregullimin ligjor të fertilizimit të asistuar, duke thënë se personat që përballen me vështirësi në rrugën drejt prindërimit meritojnë mirëkuptim dhe përgjigje të kujdesshme nga shteti.
“Duhet të shohim edhe rregullimin e fertilizimin të asistuar, dëshira për ti bërë prind është një nga shprehjet më të thella të shpresës njerëzore, dëshira për të dhënë dashuri e për tu kujdesur për një jetë tjetër, për shumë njerëz rruga drejt prindimit shoqërohet, me vështirësi që meritojnë mirëkuptim dhe një përgjigje të kujdesshme nga shteti”, tha Kurti.
Kryeministri ka theksuar se Kodi Civil synon të krijojë një tërësi të harmonizuar të dispozitave ligjore, në mënyrë që të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve të jenë më të qarta.
“Qeveria planifikon të sjellë kodin civil në kuvend, sepse Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e të drejtës civile, prona, kontrata, marrëdhëniet familjare dhe trashëgimia, janë marrëdhëniet përmes të cilave qytetari ndërton jetën e vet si individ. Kodi civil i vendos ato në një tërësi të harmonizuar, ku dispozitat e plotësojnë njëra tjetrën dhe ku të drejtat dhe përgjegjësitë bëhen më të qarta. Një kod i tillë duhet të hartohet me vetëdijen që do t’ju shërbej edhe brezave që vinë. Kjo bëhet e kuptueshme kur flasim për pronën”, tha Kurti.
Ndërkaq, Rrahmani ka thënë se kundërshtimet e tij dhe të disa deputetëve të tjerë lidhen me përmbajtjen e këtyre nismave, duke përmendur veçanërisht mundësinë që gratë të bëhen nëna pa partner mashkull dhe çështjen e ndërrimit të gjinisë.
“E kuptoj në fushatë mundesh të përdorësh këto fjali, mirëpo besoj se jemi në kuvend. Çështjet janë konkrete, besoj se do të duhej të ishit korrekt. Kodi civil dihet çka është kundërshtuar, te çështja për fertilizim, lejimi që gratë të bëhen nëna pa burrë si dhe për gjendjen civile është kundërshtuar ndërrimi i gjinisë. Ju në natën e mot moteve po e bini në qeveri ligjin më ndërrua gjininë”, tha Rrahmani.
Më herët, Rrahmani e kishte pyetur Kurtin pse Qeveria po vazhdon me këto nisma ligjore, duke iu referuar afateve të parapara në programin qeverisës për miratimin e Kodit Civil më 15 nëntor, ligjit për fertilizimin më 30 dhjetor dhe Ligjit për Gjendjen Civile më 31 dhjetor.
“Në programin e qeverisë suaj keni parapa që me 15 nëntor të miratoni kodin civil, me 30 dhjetor ligjin për fertilizim, me 31 dhjetor ligjin për gjendjen civile. Gjatë mandateve të kaluara, unë bashkë me disa kolegë deputetë kemi arritur t’i ndalojmë këto ligje të cilat i konsiderojmë të dëmshme për familjen tradicionale. Pse po vazhdoni kryeministër sërish me këtë agjendë, a nuk mendoni se me këto veprime po i shpërfillni vlerat e një familjeje tradicionale dhe po i fyeni qytetarët që ju kanë votuar juve”, tha Rrahmani.