Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas vendimit të Qeverisë për masat e reja anti-Covid, ka folur edhe për mungesën e vaksinës anti-Covdi, ku ka thënë se problem paraqet edhe mos njohja e Kosovës nga “dy fuqitë e mëdha”, raporton Ekonomia Online.
“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Deri më tash, në Kosovë kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, si pjesë e programit COVAX.
Ai tha se masat kanë qenë të nevojshme, pasi në dy javët e fundit ka pasur rritje të rastërve të cilat kanë tejkaluar kulmin e dy dhjetorit të vitit të kaluar.
“Pas një vendimi të rëndësishëm, siç jemi në dijeni në këta muajt e fundit kemi pasur afër gjysmë milioni testime për Covid, në dy javët e fundit kemi një trend të rritjes. Ky trendi rritjes i rasteve e ka tejkaluar edhe kulmin e dy dhjetorit të viti të kaluar. Me qëllim të minimizojmë ekspozimin ndaj virusit kemi marr masa, dhe ky vendim u votua në mënyrë unanime”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se Qeveria së shpejti do të ketë një mbledhje për planin dhe programin qeverisës.
Një pjesë e fjalimit:
Trendi i rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 është bërë i frikshëm. Në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në dy javët e fundit janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatalitetit të rastit (CFR) është 1.29%.
Në pranverën e vitit 2020 me dhjetëra qytetarë testoheshin deri sa njëri dilte pozitiv, kurse tash më shpesh se çdo i pesti po dalin pozitiv me virusin COVID-19.
IKShPK ka testuar me Real Time PCR 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin e varianteve të reja, si atij britanik, B.1.1.7, i cili është jo vetëm më përhapës por edhe më vdekjeprurës se variantet e mëparshme të virusit Corona. Këto mostra ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27% e tyre ishin me variantin britanik. Prandaj kjo situatë ku ky variant i rrezikshëm është më së shumti i përhapur, kërkon që të minimizohet edhe më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet edhe më urgjentisht përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.
Në këso situate alarmante jemi të detyruar të veprojmë.Gjendja emergjente e shëndetit publik, na detyron që të kufizojmë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, e të drejtën e privatësisë, dhe lirinë e dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit. Këto kufizime janë të bazuara në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, dhe ashtu siç kanë konstatuar ekspertët shëndetësor nga IKShPK dhe OBSh, janë rreptësisht të nevojshme atëherë kur situata epidemiologjike është e rënduar.
Pas një analize dhe studimi dyjavor, Ministria e Shëndetësisë ka sjellë sot propozim vendimin për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, e të cilin e miratuam në mbledhje të Qeverisë. Aty në mbi 40 pika janë shpjeguar konkretisht masat ndërkaq në ditët në vijim Ministria e Shëndetësisë do t’i sqarojë e përshkruajë edhe më hollësisht ato.
Marrja e masave është bërë duke iu kushtuar rëndësi tri objektivave: minimizimit të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ngadalësimit të përhapjes së tij, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limitit të tyre; ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve; dhe, për aq sa është e mundur, mbajtjes së aktivitetit ekonomik të hapur. Që të ruajmë njëri-tjetrin, që të mbrojmë shëndetin tonë publik, që të kujdesemi edhe për personelin tonë shëndetësor i cili po kujdeset për shëndetin tonë, ju bëj thirrje që t’u përmbaheni masave që janë treguar efektive dhe tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë: ruani distancën fizike, mbajeni maskën mbrojtëse e higjienën personale dhe ajrosini ambientet ku jetoni e punoni. Ndërkohë, po vazhdon vaksinimi dhe po angazhohemi që sa më shpejt të sigurojmë sa më shumë vaksina të reja.