Kurti për shtrenjtimin e vajit: Nuk ka kurrfarë arsye, është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve

Gjilan | 10 Mar 2022 | 14:05 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimi i vajit prej 3.49 euro për një litër është artificial dhe i paarsyeshëm, duke thënë se çmimi identik i vajit në dyqanet anembanë Kosovës nuk është i rastësishëm, raporton Ekonomia Online.

Pas vizitës që i ka bërë fabrikës për përpunimin e vajit në Gjilan, shefi i Qeverisë e ka quajtur të paarsyeshme rritjen e çmimit të vajit.

“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë do të thoshin që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha ai.

“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë”.

“Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të çfryhen”, tha ai.

Ai tha se çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial dhe se po bëhet për shkak se tregtarët po dëshirojnë të përfitojnë nga kjo krizë.

“Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Deklarata e plotë e kryeministri Kurti për medie

Bashkë me dy ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Faton Pecin, erdhëm tek kompania “Floil”, në mënyrë që të shohim për së afërmi prodhimtarinë e vajit ushqimor në Kosovë. Kjo është rafineria e vetme e përpunimit të vajit, që e kemi në vendin tonë dhe me këtë rast u njoftuam që në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftojë për rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Republikën e Kosovës.

Pra, është lajm për gjithë qytetarët e Republikës, se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth një muaj. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si Qeveri e Republikës së Kosovës, që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar me shtetet mike, partnere, aleatët tanë, ashtu që në Kosovë të vijë vaji i papërpunuar, që mund të përpunohet dhe në këtë mënyrë të mos ketë mungesa në vendin tonë.

Aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi. Nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje. Është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus atje, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, i cili po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar.

Sido që të jetë, në Kosovë kemi edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar që pas përpunimit në këtë rafineri mjafton për një muaj konsum normal.

Të ngjashme