Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sjelljet e opozitës në Kosovë janë joshtetërore dhe anti-institucionale, me qëllim bllokimin e qeverisjes së tij “me rezultat historik”, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media lidhur me çështjen e presidentit, Kurti deklaroi se ka bërë propozime të mjaftueshme, por se opozita s’ka qenë e interesuar për zgjidhje.
“Opozita është e interesuar vetëm një gjë, bllokimin e qeverisjes sonë, e cila në këtë mandat ka rezultat historik. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë opozitare përmes bojkotit të seancave plenare nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe vullnetit popullor të shprehur qartë me 28 dhjetor të vitit që lamë pas, si asnjëherë më parë, me 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje. Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër. Për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit, përkatësisht përballjen me inflacionin 2.0, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe, kurse për president nuk po vijnë as në sallë.
Me bindjen e thellë që Kosovës nuk i duhen bllokadat e atyre 10 muajve të vitit të shkuar, me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, meqë kemi mbajtur mjaftueshëm të tilla në vitin 2025 dhe rezultati ka qenë i qartë si asnjëherë më parë ndërkohë që vendi do t’i humbte edhe së paku mbi 10 milionë euro pra, vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa përmendur dhjetëra milionë të tjerë të cilët humbin për shkak se s’mund të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare siç duhet meqë nuk do të kemi kuvend funksional dhe duke pasur parasysh edhe rrethanat e rënduara globale, ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi ynë të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme”, tha Kurti.
I pari i Qeverisë tha se përmes ftesës për takime u përpoq gjetja e një kandidati konsensual, por sipas tij ishte e pamundur.
“U përpoqëm për një kandidat konsensual, por ishte e pamundur. I ftova disa herë në takim kryetarin e LDK-së, Abdixhiku, kryetarin e PDK-së, Hamza, ndonëse nuk ofruan asnjë propozim. Në vazhdimësi jam unë ai që kam ofruar propozime, edhe me emra konkretë, patjetër me funksion për ta, por morëm veçse refuzime. Ne propozime, ata refuzime.
Të shtunën e bëmë edhe një hap tutje kërkuam nga subjektet politike PDK dhe LDK që së bashku të sillnin tre emra, ku përveç nënshkrimeve, njërën edhe do ta votonim. Ju e dini që as PDK e as LDK nuk kanë deputetë për të propozuar kandidaturë. LDK-ja mund të propozojë një gjysmë kandidati sepse i ka 15 deputetë, e nevojiten 30. Ndërkaq, PDK-ja mund të propozojë dy të tretat e një kandidati meqenëse i ka 22 deputetë, e nevojiten 30. Por ato të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat. E ne u thamë: ja po bëhemi edhe ne bashkë me juve, e le t’i propozojmë tre kandidatë, që të gjitha propozimet tuaja. Ju propozoni emra, ne ua japim mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim.
E shtymë afatin për t’ju dhënë kohë shtesë kot, sepse refuzim sërish. Ftuam debat parlamentar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ju e keni parasysh që mos arrij as t’i takoj. Filluan të refuzojnë takimet me mua. Atëherë, mirë pra, le të bëjmë debat parlamentar për situatën në të cilën ndodhemi. As në debat nuk erdhën. U detyruam të flasim ne me qytetarët, nuk erdhën në debat.”, tha Kurti.
