Sot kur pritet të publikohet Raporti i Progresi për Kosovën, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka komentuar pikërisht këtë çështje.
Ai ka folur për rezultatet e testit PISA për çka ishte paralajmëruar në Raportin e Progresit të vitit 2016. Me këtë rast, sipas tij, Kosova nuk mund të ecë kur ka ngecje në arsim, transmeton Indeksonline.
Më poshtë lexoni komentin e tij të plotë:
Janë bërë një vit e gjysmë prej Raportit të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. Sot publikohet Raporti vjetor i radhës. Kurse, sot një muaj mbahet Samiti i BE-së për Ballkanin perëndimor në Sofje të Bullgarisë.
Nga Raportet e Progresit mësojmë të kaluarën e afërt që s’e ndryshojmë dot por edhe atë çka na pret nëse nuk ndryshojmë (në) të ardhmen. Kështu, rezultatet e dobëta të testit PISA i kishte paralajmëruar Raporti i Progresit 2016. Në faqen 41 të tij thuhej: “75% e shpenzimeve të përgjithshme në arsim janë bërë për rrogat dhe rritja e shpenzimeve në arsim është përdorur pothuajse tërësisht për rritjen e pagave në vend të përmirësimit të cilësisë të arsimit (vetëm 0.2% e shpenzimeve në arsim është ndarë për trajnimin e mësuesve). Shpenzimet publike për hulumtime dhe inovacione arritën në vetëm 0.05% të PBB-së, nga të cilat vetëm një e pesta është ndarë për kërkime shkencore dhe grante. Rreth 40% e të diplomuarve me një diplomë profesionale dhe 35% e të diplomuarve me një diplomë universitare nuk posedojnë aftësitë e nevojshme të kërkuara nga tregu i punës.”
Edhe të paditur edhe të lirë nuk do të mund të jemi. Nuk ec Republika, kur ngec arsimimi.