Kryeministri Albin Kurti ka folur në seancë për reciprocitetin me Serbinë duke thënë se atë do ta vendosin në momentin që janë të përgatitur, raporton Ekonomia Online.
Sipas Kurtit arsyeja pse reciprociteti nuk është vendosur akoma është ikja nga dështimi, ashtu siç ndodhi njëherë kur u detyruan ta zhbëjnë.
“Sa i përket reciprocitetit ne e kemi miratuar rezolutën për reciprocitet të plotë politik. Nëse ne nuk mund ta zbatojmë në plotni reciprocitetin ai mund të dështoj. Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje por është një parim. Nuk e kemi për të shtuar barriera po për ti hequr ato ekzistuese. Duhet ta bëjmë që mos ta zhbëjmë më. Ne do të vendosim reciprocitetin dhe këtë do ta bëjmë atë kur të jemi të përgatitur. Ne do ta vendosim reciprociteti por nuk duam të dështojmë”, tha ai.
Por më pas fjalën e mori Nura, duke i thënë Kurtit se është i kundërt me veten e tij.
“Brukseli nuk e ka premtu reciprocitetin, por ju, nuk e di a me i besu Albin Kurtit të 12 shkurtit, apo Albinit që na dha përgjigjen, sepse jeni krejtësisht i kundërt me vetëvetën tuaj dhe kjo dëshmon se atribut i politikës suaj është gënjeshtra…”, tha Nura.
Ndërsa, komentit të tij Kurti fillimisht iu përgjigj duke i thënë se për çështjen e reciprocitetit është në partinë e gabuar.
“Mua shumë më pëlqen deputeti Nura kur insiton për reciprocitet sepse je deputet i mirë i Republikës, por për këtë çështje je në parti të gabuar”, tha Kurti.
Gjithashtu tha se disa deputetë të PDK-së kanë votuar kundër reciprocitetit.
“Më 7 dhjetor të vitit 2011, 3 deputetë që të tre janë këtu në sallë, kanë votuar kundër reciprocitetit, spo jau përmendi emrat, në grupin tuaj në mbledhje e diskutoni. Më 20 janar, 5 depuetetë kanë votuar kundër reciprocitetit me Serbinë. Ne do ta vendosim reciprocitetin, dhe kjo nuk ka diskutim. Por nuk duam të dështojmë, e ka të tillë që duan që ne të dështojmë.
Duhet ta kuptoni pozicionin prej të cilit vini, ju vini prej një grupacioni politik që ka qenë kundër reciprocitetit.Ju keni interes të dështojë reciprociteti, prandaj ju dëshironi që të vendoset pa u përgatitur. E ne do të përgatitemi, do ta vendosim reciprocitetin, nuk do të dështojë reciprociteti, dhe uroj që o ju ta ndërroni qëndrimin si Grup Parlamentar në përputhje me vullnetin e deputetit Nura, ose deputeti Nura të mos vazhdojë të qëndrojë në partinë e gabuar edhe më tej”, tha Kurti.