Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rruga Prishtinë-Mitrovicë s’ka pengesa politike, por vetëm pengesa pronësore e kadastrale.
Ai në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve dhe Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, shtoi se këtë problem s’e kanë veç me këtë rrugë, por edhe me atë Prishtinë -Podujevë, raporton Ekonomia Online.
Tutje, Kurti tha se s’ka asnjë punë të kryer nga asnjë operator ekonomik të cilët nuk janë paguar.
“Fillon shtrimi i asfaltit pa u bërë sqarimet e hollësishme për të gjitha pronat. Dhe më pastaj krijohen vonesa të jashtëzakonshme sepse nuk është kryer puna paraprakisht”, fajësoi “të tjerët” shefi i Qeverisë, i cili është në pushtet qe më shumë se 18 muaj.
“Pra, fazat e ndërtimit të një rruge s’kanë qenë të qarta, janë ngatërruar hapat, përfshirë edhe qartësinë deri në hollësi të shpronësimeve është shtruar asfalti e pastaj s’është mundur të shtrohet më tej, pikërisht që janë shfaqur probleme të mëvonshme që është dashur të sqarohen qysh në fillim”, është shprehur Kurti.
“Ka punë të pakryera që s’mund të paguhen sepse janë të pakryera, por s’ka punë të kryera që kanë ngelur të papaguara”, është shprehur Kurti.
Kurti shtoi se papunësia mbetet sfidë për komunitete, por që janë të angazhuar që të sigurojnë mbështetje.
“Papunësia mbetet sfidë për romët, ashkalit dhe egjiptian. Shpresojë që të gjitha organizatat t’i inkurajojnë të papunët për punësim. Progresin e shohim të ndërlidhur për qytetarët tanë pa dallim”.
Drejtori i Zyrës për Qeverisjes të Mirë, Habit Hajredini, tha se janë raportor në Polici nëntë raste të diskriminimit.
“Kemi 9 raste të paraqitjes së diskriminimit. Ne jemi mobilizuar si strukturë dhe kemi paraqitur rastin ne Polici. Tabela është e fushëveprimeve të ndryshme. Kjo platformë mbështet nga zyra e kryeministrit për romë, ashkali e egjiptian. I kemi dhënë hapësirë edhe komuniteteve tjera”.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi sërish ka shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e kotave, raporton EO.
“Për pjesën e keqpërdorimit të kuotave është shqetësim që po përsëritet nga viti në vit. Ne këtë vit është trajtimi që i bëhet kësaj çështje. Inspektorati ka identifikuar deklarime të rrejshëm. Tashmë kemi raste të identifikuara dhe shumë shpejt do të informoheni. Kur flasim për diskriminim nuk zgjidhet vetëm me një platformë. Është shumë më e lehtë gjetja e mbështetjes në raportim”.