Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Speciales për shtyrjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik ndaj katërshës së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nga Ekonomia Online për këtë çështje, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimi i tyre, ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë, në shërbim të të cilit thuhet se është. Edhe një herë e theksoj Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. Mirëpo amandamentimi numër 24 i Kushtetutës me 3 gusht të vitit 2015 është një ndër ditët më të rënda të Kosovës së pavarur e të Republikës sonë demokratike, dhe të gjitha këto tash janë pasoja”, ka thënë Kurti.
“Është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike që janë bërë e të cilët na kanë sjellë në këtë situatë ku në vend se të kemi gjykata normale, kemi një gjykatë speciale, e cila tash i vonon vendimet e saj”.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe gjithmonë do të kujtohet e mësohet në histori nga pa numër breza si luftë e drejtë, e cila ishte kundër një okupatori armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë, dhe njëkohësisht ishte luftë antikolonialiste. Sepse ne nuk e kishim vetëm këtë gjenocidin e fundit nga Serbia, ky ishte gjenocidi i katërt që e ka bërë Serbia për më pak se një shekull e gjysmë ndaj popullit tonë. Andaj edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës si bartëse e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të ndihmuar nga mbarë kombi shqiptar jo veç në Ballkan por edhe në mërgatë, është një luftë e cila gjithmonë duhet të kujtohet, të mbrohet, të mësohet, por në të njëjtën kohë edhe është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike të cilat janë bërë, e të cilat na kanë sjellë në këtë situatë ku në vend se të kemi gjykata normale, kemi një gjykatë speciale e cila tash edhe i vonon vendimet e saja. Pra ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të luftëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg padrejtësisht në Hagë”, ka shtuar Kurti.
