Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati morën pjesë në shënimin e fillimit të pilotimit të skemës për reformën e asistencës sociale në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Duke e cilësuar skemën e re si realizim të premtimit të Qeverisë, kryeministri Kurti ka thënë se skema e trashëguar është diskriminuese, e padrejtë dhe nxitë papunësi e punësim jo formal.
Kurti gjatë prezantimit të punës së Qeverisë që ai drejton tha se kemi rritje e zhvillim në çdo aspekt të jetës dhe se kur morrëm mandatin qeverisës premtuam punë e drejtësi.
“Statistikat e rritjes së vendeve të punës uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave e të rinjëve rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore pasqyrojnë qartazi suksesin e qeverisë sonë në këtë drejtim. Nga 331 mijë e 744 vende pune në mbyllje të vitit 2019 në dund të vitit 2023 kemi 419 mijë e 126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26%. Nga një rritje e të hyrave buxhetore me 1 milion euro për më tepër se dhjetë vite para nesh kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro e më shumë për tri vite qeverisje. Këtë realitet të ri e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtere financiare si banka botërore fondi monetar ndërkombëtar e së fundi edhe raporti i Agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor”, ka thënë Kurti
“Qysh në shtator të viti 2021 ndihmuam me shtesat për lehona e fëmijë. Deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë që përfitojnë nga këto skema. Ndamë mbi 100 milion euro për të mbështetur pensionistët dhe për skemat tjera sociale”, ka thënë ai.
Kryeministri ka kërkuar nga qytetarët që aktualisht kanë të ardhura të ulëta, të bëhen pjesë e pilotimit të skemës sociale, duke theksuar se ky pilotim i ndihmon edhe qeverinë në projektligjin për ndihmën dhe mbrojtjen sociale.
“Qysh ka ky moment secila familje në Republikën tonë e cila ka të ardhura më të ulëta se 100 euro për anëtar për muaj, mund të qaset në E-Kosova dhe të aplikojë për tu bërë pjesë e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale”, ka thënë ai.
“Si Qeveri nuk u ndalëm por vazhduam me ndihma në disa sektorë. Fokusi ynë ishte reformimi rrënjësor i sistemeve e politikave që ishin keq të dizajnuara. Dizajni i skemës aktuale sociale është diskriminues sepse në momentin që fëmija në një familje mbushur moshën 5 vjeqare atij i është ndërprerë ndihma”, ka thënë Kurti.
Ministri, Murati tha se kemi dizajnuar një mekanizëm tjetër.
“Personat të cilët mund të jenë prind të vetëm dhe kanë fëmijë nën 18 vjeq, personat me aftësi të kufizuara, ata që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara, do të trajtohen si persona që janë në kërkim për një vend pune”, ka thënë Murati.
“Mënyra qysh është dizajnu mekanizmi i trajton anëtarët e familjes si anëtar që mund të punojnë ose që nuk mund të punojnë. Ajo kategori janë: Personat të cilët mund të jenë prind të vetëm dhe kanë fëmijë nën 18 vjeq, personat me aftësi të kufizuara, ata që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara, gratë gjatë shtatzanisë, njëri nga prindërit që përkujdeset për fëmijën do të trajtohen si persona që janë në kërkim për një vend pune dhe do t’u ofrohen trajnime dhe vende pune që këto familje të mos mbeten vetëm me asistencë sociale”, ka thënë Murati.
Ai tutje bëri të ditur se si do të funksionojë skema e re.
“Sa i përket skemës së re apo pilotimit të ri është i hapur që sot dhe mund të qaseni përmes E-Kosovës dhe të plotësoni të dhënat për familjen dhe të dhënat merren dhe përpunohen nga komisioni. Pas aplikimit për asistencë sociale, aplikimi kalon në disa faza dhe fillimisht është testi i varfërisë. Pas testit të të ardhurave vjen edhe testi i pasurisë, pas kësaj është edhe testi i mjeteve financiare të përafërta, pastaj vjen edhe tek vizitat në terren që do të bëhen nga anëtarët e QPS-ve dhe pastaj bëhet verifikimi”, tha Murati.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Mrikë Aliu ka theksuar se janë të lumtur që kanë arritur të mbështesin Qeverinë e Kosovës në këtë projekt.
“Kjo nismë mbështetet nga Banka Botërore përmes reformës suaj. Ky projekt i cili financohet nga BB synon ta ndihmojë Qeverinë në rritjen e standardit të popullatës. Investimi në këtë skemë nuk është vetëm obligim moral. Këto reforma ndihmojnë grupet e cenueshme që të përballojnë jetesën dhe kjo reformë është një hap i rëndësishëm përpara dhe i domosdoshëm. Kjo reformë ulë dukshëm varfërinë në vend. Lejon dhe fuqizon ata që të jenë të qasshëm në vendin e punës. BB-ja është e gatshme të mbështesë në ekspertizë dhe do të qëndrojmë pranë Ministrisë” ka thënë Aliu.
Ky pilotim është i hapur dhe është në e Kosova dhe nëpër qendrat e plotësimit dhe familjarët duhet të plotësojnë aplikimin.