Kurti për takimin me liderët e opozitës: Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm

Prishtinë | 11 Maj 2024 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për Tv Besa.

Kryeministri Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka bërë komentet gjatë një vizite në Prizren.

Ai ka thënë se Prizreni do të lidhet me Tetovën e Maqedonisë së Veriut dhe Shkodrën e Shqipërisë.

“Rruga Prizren-Tetovë po bëhet. Kjo rrugë do t’i lidh dhe forcojë shqiptarët, por si Lidhja ku jemi sot”, tha Kurti, duke premtuar se Prizreni dhe Gjakova do të lidhet edhe me Shkodrën.

Kurti në Prizren ka takuar mbi 300 anëtarë të rinj të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet. Ai ka thënë se Prizreni po e forcon lidhjen me Vetëvendosjen.

“Kryeqyteti i i historisë shumë shpejt do t’i kthehet punës progresiste dhe lidhjes së mirëqenies demokratike, sepse nuk do të zgjas shumë dhe do të rikthehemi fuqishëm”, ka deklaruar Kurti. Ai u ka kërkuar anëtarëve të rinj mobilizim për zgjedhjet qendrore dhe ato lokale.

Të ngjashme