Kurti për vdekjen e Kadaresë: Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij

Prishtinë | 01 Kor 2024 | 11:06 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për vdekjen  e shkrimtarit Ismail Kadare, ka thënë se bota sot ka humbur shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

Kurti, ka shtuar se anija e romaneve të Kadaresë, do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë, raporton Ekonomia Online.

“Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë”, ka thënë Kurti ndër tjera.

Postimi i plotë:

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.

Të ngjashme