Kurti për votimin e AP-së: Kosova bëri një hap të rëndësishëm drejt integrimit në NATO

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se avancimi i statusit të vendit për anëtarësim në NATO është një hap i rëndësishëm në integrimin euro-atlantik.

Kurti, njëkohësisht ka falënderuar ata që e ndihmuan Kosovën për avancim të statusit të saj, raporton Ekonomia Online.

“Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka thënë Kurti.

Postimi i plotë:

Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë.

Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë.

Të ngjashme