Kurti përgëzon udhëheqësit e Mitrovicës së Veriut për përmirësim të shërbimeve për qytetarët

Prishtinë | 05 Sht 2024 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren Katarina Adançiq dhe gjithë stafin e Komunës për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët në një takim që kanë pasur të enjten në “Ballkonin e Hapur” në objektin e Qeverisë.

Temat qendrore, sipas njoftimit të Kryeministrisë, ishin qeverisja komunale, arritjet dhe sfidat, dhe bashkëpunimi me nivelin qendror.

“Kryeministri Kurti dhe ministrat Rašić dhe Krasniqi u njoftuan rreth punëve të drejtorive, shërbimeve komunale të cilat po shtohen në vazhdimësi, investimeve në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike dhe bashkëpunimit me agjencitë qendrore. Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Biznese ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit u diskutua edhe rreth mundësive për bashkëpunime të reja përfshirë ato ndërmjet komunave në veri të vendit dhe për projekte të reja “për çka është e nevojshme mbështetja e Qeverisë”.

“Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Ai i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Ađančić, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve”, vijon njoftimi i tyre.

Të ngjashme