Kurti përkujton masakrën e 1–2 prillit 1999 në Gjakovë: Thirrje e përhershme për drejtësi dhe kujtesë

Prishtinë | 02 Pri 2026 | 21:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë, masakrën e natës mes 1 dhe 2 prillit 1999 në Gjakova, ku u vranë dhe u dogjën dhjetëra civilë shqiptarë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Në një postim përkujtimor, Kurti ka kujtuar se atë ditë, Diona Caka do të mbushte vetëm dy vjet, ndërsa Rina Haxhiavdija katër, por jeta e tyre u ndërpre mizorisht bashkë me familjarët e tyre.

Sipas përshkrimit të ngjarjes, në shtëpinë e familjes Vejsa, forcat e armatosura serbe vranë nënën Tringa Hoxha Vejsa bashkë me pesë fëmijët e saj, si dhe Valbona Byci Caka me tri vajzat e saj dhe Valbona Vejsa Haxhiavdija me tre fëmijët e saj.

Raportohet se pjesëtarët e forcave serbe hapën zjarr me armë automatike mbi 21 civilë shqiptarë që ishin strehuar në atë shtëpi, ndërsa më pas trupave të viktimave iu vu zjarri në përpjekje për të fshehur krimin.

I vetmi i mbijetuar i kësaj masakre ishte Dren Caka, atëherë 9 vjeç, i cili arriti të shpëtojë duke dalë nga dritarja mes flakëve dhe tymit. Ai më vonë dëshmoi në Tribunali i Hagës gjatë gjykimit ndaj Sllobodan Millosheviq.

Kurti ka theksuar se atë natë në Gjakovë u vranë edhe dhjetëra civilë të tjerë shqiptarë nga shumë familje, duke e cilësuar këtë masakër si një nga dëshmitë më të rënda të dhunës sistematike ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë.

Ai ka përfunduar se kjo ngjarje mbetet një thirrje e vazhdueshme për drejtësi dhe përkujtesë, në mënyrë që krimet e tilla të mos harrohen kurrë.

Të ngjashme