Kurti “përvetëson” liberalizimin e vizave

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 22:06 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Ministrave të BE-së sot i ka dhënë dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e çuar procesin edhe një hap tutje.

E për këtë votim të sotëm, kryeministri Albin Kurti po e cilëson si vendim të bazuar në “vlerësimin e qeverisjes” së tij.

“Ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë që po sjellë vendime të mira për qytetarët dhe njohje e reformave që po përmirësojnë indikatorët në organizata ndërkombëtare”, shkroi Kurti në Facebook, transmeton Klan Kosova.

Ai tha se “krahas rritjes e përmirësimit të gjithmbarshëm në indikatorët e drejtësisë, demokracisë e lirisë, sot kemi edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për udhëtimin pa viza për qytetarët e republikës”.

Ndërkaq në Twitter, kreu i ekzekutivit u tregua pak më i matur në cilësime.

“Një hap më afër: I kënaqur nga vendimi unanim i Këshillit të BE-së sot në favor të udhëtimit pa viza për qytetarët tanë. Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Mezi presim hapat përfundimtarë të Parlamentit Evropian”, shkroi më herët kryeministri Kurti.

Kujtojmë se afati i fundit për lëvizje të lirë pa viza në zonën Schengen për qytetarët e Republikës së Kosovës është data 1 janar e vitit 2024.

Të ngjashme