Mbrëmë, Kurti shfaqi hapur apetitet e tij të frikshme për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për të rrënuar rendin kushtetues të vendit. Mos harroni, po bëhen katër vite që Kurti ka qenë kryeministër, me shumicë parlamentare në Kuvend, me qeveri pa koalicione dhe pa pasur asnjë pengesë, por sipas tij, drejtësia e ka penguar, prandaj atij nuk i mjafton të jetë kryeministër; ai po kërkon të bëhet mbret.
Me deklaratën e tij: “Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, Kurti ka sfiduar hapur Prokurorinë Speciale. Çfarë thotë një deklaratë e tillë për barazinë para ligjit? Çfarë mesazhi është ky për qytetarët e këtij vendi që respektojnë ligjet, rregullat dhe institucionet e drejtësisë?
Sulmet e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese, mosnjohja dhe kundërshtimin i vendimeve të saj, janë një tregues tjetër i ambicieve të tij për të ndryshuar rendin kushtetues në vend. Kurti asnjëherë nuk përmend se është vendimi i po kësaj Gjykate që çoi te zgjedhjet e parakohshme dhe e solli atë në pushtet, në vitin 2021.
E mbi të gjitha, ëndrra e tij për t’u bërë një ditë Kryeprokuror qartë tregon se nuk e ka për t’i shërbyer drejtësisë, por për t’i mbrojtur miqtë e tij të zënë në flagrancë – ata që po pasurohen në kurriz të qytetarëve. Korrupsion ky, tashmë i dokumentuar me fakte.
Zhvillimi ekonomik i Kurtit është krejt propagandë. Sukseset tij propagandistike në ekonomi nuk po zgjidhin asnjë problem të qytetarëve që po përballen me realitetin e hidhur të një inflacioni enorm prej 22%, që rëndon mbi çdo familje dhe çdo biznes në vend. 22% është Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve, ndërsa çmimet e shportës bazë të konsumit në katër vitet e fundit janë rritur me mbi 50%. Faturat e energjisë elektrike janë dyfishuar, dhe në këto ditë dimri po përballemi me reduktime të energjisë elektrike.
Kryeministri, në vend që të angazhohet për të gjetur zgjidhje për këtë krizë, mburret me statistika nominale që nuk përkojnë me gjendjen reale të ekonomisë. Ndërkohë, fuqia punëtore po largohet masivisht nga vendi – Kosova po boshatiset. Ai tallet me punëtorët që po lënë Kosovën, duke thënë se atje po kërkojnë të drekojnë në restorante gjatë pauzës së drekës. Kurti duhet ta pranojë se politika e tij e dështuar po na lë pa profesionistë dhe pa shpresë.
Sa i përket qeverisjes së tij, korrupsioni ka marrë përmasa alarmante. Tenderët sekretë dhe mungesa e transparencës janë bërë normë në qeverisjen e tij. Në vend që të luftojë korrupsionin, siç kishte premtuar, Kurti ka lejuar që praktikat klienteliste të forcohen dhe ai i mbron ato pa iu dridhur syri. Ai flet për reforma, por ato mbeten vetëm propagandë. Sot, administrata është e kapur për interesa të ngushta të partisë në pushtet.
Në ditët kur Kosova po përballet me ndërprerje të rrymës dhe krizë energjetike, Kurti po ia kalon përgjegjësinë KOSTT-it dhe ZRRE-së. Ai harron se në këto institucione ka emëruar njerëzit e tij dhe se në pushtet ka ardhur me premtimin elektoral për të shtetëzuar distribucionin e energjisë elektrike. Sot, Kurti dhe institucionet e tij të “pavaruara” mbrojnë KESCO-n me justifikime të pabaza për ndërprerjet e energjisë, kinse problemi është te rrjeti. E para, rrjeti nuk është problem, dhe e dyta, pse KOSTT-i nuk ka investuar për katër vite në rrjet? Çka ndodhi me politikat e qeverisë për efiçiencë të energjisë?
Çfarë efekti kanë prodhuar ato?
Kush mban përgjegjësi?
Të nderuar qytetarë,
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ju do të vendosni mes demokracisë dhe autokracisë; do të vendosni mes zhvillimit dhe regresit; do të vendosni mes dritës dhe tërrit e mbi të gjitha do të vendosni mes të vërtetës dhe propagandës.
Me 9 shkurt duhet të votohet për ndryshim, të votohet për një qeveri ku drejtësia dhe demokracia mbizotërojnë, ku qeveria ndërton dhe nuk rrënon, ku qytetarëve taksat iu kthehen në projekte dhe shërbime.
Bëhu ndryshimi!
LDK#6