Kryeministri Ablin Kurti, tha se rreshteri Afrim Bunajku, është hero i Kosovës e se të dielën Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm, duke parandaluar një skenar kriminal dhe terrorist, raporton Ekonomia Online.
Kurti në akademinë komemorative kushtuar Bunjakut, tha se ligjshmëria, kushtetutshmëria, paqja dhe siguria do të jenë gjithmonë dhe çdo herë për gjithsecilin dhe pa dallime.
“E diela 24 shtatorit na ka mbledhur sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovë për të nderuar jetën dhe veprën e rreshter Afrim Bunjaku”.
“Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë për shkak të pikëllimit për Afrim Bunjakun. Por, e sotmja është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet edhe më të mëdha për Afrimin, për Policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme e parandaloi një skenar kriminal dhe terrorist”.
“Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi nga një grup terroristësh. Nga dje asgjë nuk mund të jetë më njësoj, faktet dolën , për të parë të vërtetën e rajonit”.
“Ky reagim i institucioneve tona profesionalisht ka qenë në përputhje me shtetin tonë demokratik dhe perëndimore. Sot përballë fotografisë së portretit të Afrim Bunajkut përkulemi me nderime dhe respekt si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujtesë. Ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri për të gjithë dhe secilin pa dallim”, tha Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj Vjosa Osmani- Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme,
I nderuar Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,
E nderuara familje Bunjaku, bashkëshortja Lumnija, vajza Arbenita, djemtë Jetlum dhe Fatlum,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës
Të nderuar zyrtarë policorë, kolegë të rreshter Afrim Bunjakut
Të dashur qytetarë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Dita e djeshme, e diela e 24 shtatorit 2023, na ka mbledhur ne sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovën për ta nderuar veprën e Afrim Bunjakut, pjesëtarit të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës. Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë, për shkak të pikëllimit dhe dhembjes së përbashkët për Afrim Bunjakun, rreshterin e policisë sonë që e humbëm dje. Por e sotmja, është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore dhe gjithëpopullore policit Afrim Bunjaku, sepse bashkë me pikëllimin dhe dhembjen, ndjejmë krenari dhe besim për Afrimin dhe për të gjithë policët e Policisë së Kosovës. Për policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal e terrorist.
Le ta themi qartë edhe sot, sikurse dje: Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë, nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia. Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre si dhe konfiskimin e shumë armatimeve dhe mjeteve të tjera mbështetëse logjistike.
Nga dje, asgjë më nuk mund të jetë njësoj, faktet dolën sheshazi përballë nesh, në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare si dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë.
Ky reagim profesional dhe i matur i institucioneve të Kosovës dje, ishte në përputhje me vetë natyrën e shtetit tonë demokratik dhe properëndimor.
Afrim Bunjaku 50 vjeçar nga Samadrexha e Vushtrrisë, ishte i martuar dhe bashkë me gruan e tij Lumnije Hazirin, ishin prindër të tre fëmijëve: Arbenitës 25 vjeçare, Jetlumit 18 vjeçar dhe Fatlumit 10 vjeçar. Ky i fundit, e ka trashëguar emrin e të vëllait Fatlumit, që ishte 17 vjeçar, kur më 2012 e kishte humbur jetën në një aksident trafiku.
Pas kryerjes së Shkollës së Shërbimit Policor të Kosovës në vitin 2001, Afrim Bunjaku ka shërbyer në stacionin policor në Vushtrri deri më 4 maj 2007, kur ishte graduar rreshter. Rreshter Afrim Bunjaku e vazhdoi shërbimin e tij për shtatë vite si udhëheqës i ekipit në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut deri në vitin 2014, kur u kthye sërish në Vushtrri për të shërbyer si instruktor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Nga viti 2015, Afrimi shërbeu si udhëheqës i ekipit reagues në stacionin policor të Vushtrrisë, kurse nga 6 janari i vitit 2023, Afrim Bunjaku ka qenë i caktuar në stacionin policor në Zveçan, në detyrën e mbikëqyrësit të ekipit patrullues. Plot 22 vite të kaluara në uniformën e Policisë së Kosovës, pra që nga viti 2001, e deri në ditën kur ra në kryerje të detyrës me po këtë uniformë, janë vite shërbimi dhe sakrifice që e bëjnë hero Afrim Bunjakun: hero të Republikës së Kosovës!
Sot, përballë e pranë fotografisë me portretin e Afrim Bunjakut në uniformë të policisë së Republikës sonë dhe përballë veprës së tij heroike, përkulemi me nderime dhe respekt, si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujtesë.
Ne bëjmë atë që duam sepse duhet. Ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri, për të gjithë dhe secilin pa dallim.
Lavdi rreshter Afrim Bunjakut, heroit të Republikës së Kosovës!
Ju faleminderit.
LEXONI EDHE: