Kurti: Pres që me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve me 2 maj

Prishtinë | 27 Pri 2023 | 10:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast kryeministri ka thënë se pret që në takimin e 2 majit me presidenti serb Aleksandar Vuçiq të diskutohet me urgjencë çështja e të pagjeturve.

Kjo ngase sipas tij, në aneksin për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit saktësohet se duhet trajtim urgjent.

Përderisa sërish ka kërkuar nga Prokuroria Special që të fillojë hetimet në mungesë të përgjegjësve të krimeve, ngase tha se dëshmitarët po plaken e madje edhe po vdesin.

“Ne në aneksin për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit kemi thënë se është urgjente çështja e të pagjeturve, pres me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve me 2 maj”.

“Gjykimi në mungesë mundësohet tash e 4 vjet, prandaj i bëjë thirrje Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi që i kemi për krimet në Kosovë të shndërrohen e aktakuza për përgjegjësit, sikurse në Kroaci edhe në Kosovë mund të gjykohen në mungesë. Është e paarsyeshme çfarëdo vonese, se dëshmitarët po vendin e po plaken”.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

27 Prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është Dita e të Zhdukurve me dhunë në Kosovë, pra Dita e të Pagjeturve, të atyre, të cilët u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, i cili përveç se i rrëmbeu më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë, gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat më pas në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës.

Në pesë varreza masive në Serbi janë eksumuar deri më tani rreth 950 kufoma dhe siç e tha edhe kryetari i Kuvendit janë mbi 1600 të cilët ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit. Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave  dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare por edhe mobilizimi kombëtar.

Muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se Kuvendi i Republikës ka mundësuar përndjekjen, akuzën, gjykimin dhe dënimin në mungesë dhe nuk ka ditë më të duhur se sa 27 Prilli për t’i bërë thirrje edhe njëherë Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi, të cilat i kemi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës të shndërrohen në aktakuza për ata përgjegjës, të cilët po e ritheksoj sikurse në Kroaci edhe në Kosovë do të mund të gjykohen e të dënohen në mungesë. Nuk bëhet fjalë thjesht për historinë e popullit tonë, bëhet fjalë për jetën tonë, e cila është këputur përgjysmë meqenëse këto krimet e kryera kanë ndodhur përbrenda kohës së jetës sonë. As nuk duhet t’i lexojmë librat e historisë dhe as t’i pyesim gjyshet e gjyshërit tanë e prindërit tanë për këto krime sepse këto krime i kemi përjetuar vetë ne. Andaj, është e paarsyeshme çfarëdo vonese në kohën kur koha nuk punon për neve sa i përket dëshmitarëve të cilët po plaken edhe po vdesin edhe sa i përket dëshmive materiale, që me shumë mund familjet por edhe institucionet vazhdojnë t’i ruajnë 24 vjet pas këtyre krimeve makabre.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme