Kurti pret ambasadorin dhe përfaqësues tjerë të ambasadës britanike në kuadër të një projekti për rekrutim

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, sot ka pritur ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, bashkë me përfaqësues të ambasadës në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë.

“Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në hapësirat e Ballkonit të Hapur ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me përfaqësues të Ambasadës Britanike në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.”

“Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti theksoi suksesin e projektit të rekrutimit në Kosovë, teksa shtoi se kanë një rrugë të gjatë përpara për të ndërtuar një sistem rekrutimi bazuar në meritokraci në sektorin publik. Ai shtoi se rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, i bazuar në meritë dhe profesional është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.”

Kurti ka folur edhe për “rëndësinë e eliminimit të hendekut gjinor”.

“Një nga arritjet më të mëdha që nga viti 2021 është se 40% e profesionistëve të emëruar janë gra, duke ndihmuar në eliminimin e hendekut gjinor dhe thyerjen e tavanit e xhamit për gratë—një prioritet i lartë ky për qeverinë tonë. Projekti ka gjeneruar gjithashtu metoda të shumta për të kultivuar një kulturë respekti për aftësinë dhe ekselencën brenda institucioneve tona. Një shembull kryesor është “Harta e Procesit,” një manual gjithëpërfshirës që përshkruan praktikat më të mira të rekrutimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret tona”, tha Kurti.

Në fund, Kurti i falënderoi përfaqësuesit e projektit dhe ambasadën britanike për kontributin e përkrahjen e tyre si dhe bëri thirrje për më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe meritokraci në procese të ngjashme, për një të ardhme më të ndritur për Kosovën.

Të ngjashme