Kurti pret profesorin amerikan Daniel Serwer, diskutojnë për integrimet euroatlantike dhe sigurinë rajonale

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan dhe njohësin e çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, procesin e integrimit euroatlantik dhe situatën e sigurisë në rajon.

Kurti bëri të ditur se Serwer ishte mysafiri i parë amerikan të cilit ia uroi 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa takimin e cilësoi si të përzemërt dhe frymëzues.

“Sot pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan dhe mikun e madh të Kosovës, Daniel Serwer, për një takim të përzemërt dhe frymëzues. Gjithmonë është kënaqësi të takohem me profesorin Serwer, i cili sot u bë mysafiri i parë amerikan të cilit ia urova përvjetorin e 250-të të pavarësisë së ShBA-ve”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh me rëndësi për Kosovën dhe rajonin, përfshirë situatën e brendshme politike, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe zhvillimet gjeopolitike.

“Me profesorin biseduam për një gamë të gjerë temash të rëndësishme, duke përfshirë situatën e brendshme politike, hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe zhvillime gjeopolitike dhe implikimet për sigurinë e vendit tonë”, ka theksuar ai.

Kurti ka vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të profesorit Serwer për Kosovën, duke e cilësuar atë si një mik të madh të vendit.

“Kosova është me fat që e ka një mik si Daniel Serwer, i cili kurrë nuk ka hezituar të flasë të vërtetën për popullin tonë dhe kërcënimet që paraqet Serbia ndaj sigurisë rajonale”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme