Kurti pritet t’i takojë sërish sot përfaqësuesit e BE-së

Prishtinë | 26 Tet 2023 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet t’i takojë sërish liderët e BE-së sot gjatë ditës.

Kështu raporton Evropa e Lirë bazuar në burimet e saja.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.

Ata u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

As Kurti, as Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Burime të BE-së për Evropën e Lirë thonë se Kurti pritet t’i takojë sërish gjatë ditës shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Radio Televizioni i Serbisë raportoi se Vuçiq, pas pjesës së parë të takimit me udhëheqësit evropianë, ka vazhduar me Borrellin dhe Lajçakun.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

Të ngjashme