Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaș, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore, kryeministri tha se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj.
“Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre”.
Kryeministri foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova EURO-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian, theksohet në komunikatën e lëshuar pas takimit.
Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri.
“Mirëqenia dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet i Qeverisë, prandaj edhe do të përkujdeset që qytetarët të mos ndikohen negativisht nga vendimet e institucioneve. Në këtë drejtim çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet dhe adresohet me shpejtësi”.
Kurti e ka falënderuar KFOR-in për kontributin për një ambient të qetë e të sigurt në Kosovë.
