Kurti takohet me përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave, vlerësohet bashkëpunimi

Prishtinë | 30 Nën 2023 | 19:19 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur sot në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave (FEG).

Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i Qeverisë me organizatat e shoqërisë civile, e veçanërisht me ato të grave. U theksuan mundësitë e angazhimit të përbashkët, për të forcuar më tej zhvillimin ekonomik dhe për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave. U bisedua edhe lidhur me ligjin e punës, me fokus në dispozitat e lejes së lehonisë dhe asaj prindërore.

Kryeministri Kurti ritheksoi punën dhe përkushtimin e Qeverisë për të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim. Ai përmendi vendimin e sotëm për 1882 studente, vajza e gra që u shpallën fituese të bursave në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë e Matematikës (STEM).

Në këtë takim morën pjesë përfaqësueset e FEG: Saxhide Mustafa nga Riinvest, Igballe Rogova nga RrGK, Gjyljeta Devolli nga RrOGRAEK, Nora Latifi-Jashari nga GAP, Luljeta Demolli nga QKSGj si dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D.

Të ngjashme