Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z.Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës.
Në këtë takim, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Ai shprehu gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi.
Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.
U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Aziz Bici, këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.