Kurti: Propozimi Evropian është i pranueshëm, unë isha i gatshëm ta nënshkruaj

Prishtinë | 27 Shk 2023 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar takim pozitiv dhe konstruktiv atë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili u mbajt të hënën në Bruksel.

Në një deklarim për gazetarët, Kurti tha se ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.

Ai tha se edhe Vuçiqi u pajtua me tekstin e harmonizuar të marrëveshjes, por nuk e nënshkruajti. Për vete tha se ishte i gatshëm të vërë firmën.

“Unë nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte i gatshëm për të nënshkruar. Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.

I pyetur se pse në takimin në Bruksel nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje, Kurti tha se ishte Serbia që “nuk ishte e gatshme për të nënshkruar”.

“Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.

Kreu i Qeverisë tha se marrëveshja do të publikohet dhe “vetë qytetarët dhe ekspertët mund ta komentojnë”, kur u pyet nga gazetarët se a mund të konsiderohet si fitore për Kosovën arritja në parim e kësaj marrëveshjeje.

Kurti shtoi se ai qysh më herët pat thënë se Plani Franko-Gjerman (tani i quajtur si Propozim Evropian) është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara.

“Tash diskutimet e mëtutjeshme do të jenë për Planin e Zbatimit për çka do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë diku kah mesi i muajit mars sërish me ndërmjetësimin e Borrellit dhe Lajçakur”, tha ai.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të zbatohet Asociacioni me këtë plan, kryeministri Kurti ka thënë se “ajo është fjalia e fundit, praktikisht e nenit të fundit (në Marrëveshje) dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”.

Në një konferencë më përpara, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se palët ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e propozimit të BE-së, i titulluar tashmë si “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit më 18 mars, në Maqedoninë e Veriut.

LEXO EDHE:

Të ngjashme