Kurti propozon heqjen e taksës 100 % për lëndën e parë, mbledhja pritet të mbahet sot

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nënshkruar dokumentin për shqyrtimin dhe miratimin në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë rreth lirimit nga tarifa 100 për qind për lëndën e parë që hyn në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas këtij vendimi që mban datën 20 mars 2020 (sot) vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 prill 2020, me ç’rast detyrohet Ministria e Financave e Kosovës dhe Doganat ta zbatojnë vendimin.

Burime të “Kohës Ditore” brenda Qeverisë kanë thënë se vendimi për heqjen e taksës për lëndën e parë të produkteve me prejardhje nga Serbia dhe nga Bosnjë-Hercegovina, pritet të diskutohet në mbledhjen e Qeverisë, që pritet të mbahet sot gjatë ditës.

Ky vendim i Kurtit vjen vetëm dy ditë pasi LDK-ja nisi procedurën për shkarkim të Qeverisë, ku u tha se një ndër arsyet është edhe mosheqja e taksës, por që partneri i Vetëvendosjes në Qeveri insiston se kjo duhet të hiqet krejtësisht e jo siç ka paralajmëruar Kurti me disa faza.

Ky vendim sipas zëvendëskryeministrit të dytë në qeverinë Kurti, Haki Abazi nuk është marrë ende, por vetëm është duke u rishqyrtuar në mbledhjet që qeveria po i mban në distancë me ministrat e dikastereve që janë pjesë e ekzekutivit.

Abazi i pyetur nga Klan Kosova nëse tarifa për lëndën e parë do të hiqet komplet e jo vetëm pjesërisht si ishte paralajmëruar me herët, ai përmes telefonit deklaroi ende nuk kanë marrë një vendim konkret si ekzekutiv, por që kjo do të vendoset ne mbledhjen e sotme të qeverise ne këto katër orët e ardhshme meçe ende janë duke e diskutuar këtë temë.

Sipas tij shqyrtim e diskutim ka por ende jo edhe vendim konkret, Abazi shtoi për televizionin se ky vendim ka qene i parapare te merret me 15 mars, por qe shkaku i përhapjes së Pandemisë COVID-19, nuk ka ndodhur ende deri tashti.

Më 27 shkurt, kryeministri Kurti, kishte dalë një konferencë shtypi, i shoqëruar nga disa prej odave ekonomike (jo kryesoret), me ç’rast kishte njoftuar se ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.

Ai kishte thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.

Por, heqja e pjesërishme e taksës nuk u bë më 15 mars, sikur ka thënë Kurti për shkak të mospajtimeve me partnerin e koalicionit – LDK. Nuk dihet nëse ministrat e LDK-së do të marrin pjesë në mbledhjen eventuale të Qeverisë, pas nisjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë. Nëse mungojnë, vendimi nuk mund të merret vetëm me ministrat e VV-së.

Të ngjashme