Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45 për qind nga mbështetja qeveritare, ndërsa ka thënë se mbeten të përkushtuar për ta mbështetë sektorin privat të cilin e ka cilësuar faktor të rëndësishëm të punësimit dhe rritjes ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar, shefi i ekzekutivit ka thënë se mbështetja e bizneseve ka qenë e vazhdueshme dhe e lartë, ndërsa sipas tij krahasuar me tri vjet më parë punësimi në Kosovë është rritur për 20 për qind.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë sektorin privat, i cili është një faktor i rëndësishëm i punësimit dhe i rritjes ekonomike në vendin tonë. Krahasuar me vitin 2022, tash që po flasim në vitin 2024, Bruto Produkti Vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35 për qind më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe me punësim të shtuar, krahasuar me para tri viteve në Kosovë është rritur punësimi për 20 për qind përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar. E padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimit të aktivitetit të sektorit privat”, u shpreh Kurti, teksa përmendi edhe ndihmesat e bizneseve përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
“Vitin e kaluar, për zbatimin e masës 2.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht mbështetjes së bizneseve për qasje në financa, kemi ndarë 5.5 milionë euro për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Edhe bizneset ishin të përfshira në skemat e gjera të shpërndarjes së rritjes ekonomike, në mënyrë të barazpeshuar, tek të gjithë pa dallim, por edhe për t’i përkrahur në sfidat globale me të cilat po përballemi. Që nga pandemia Covid 19, tek kriza globale e energjisë, e tek inflacioni, vendi ynë ka treguar qëndrueshmëri dhe imunitet, pavarësisht se jemi aq shumë të integruar, saqë sfidat globale na bëhen edhe nacionale e lokale”, deklaroi Kurti.
Në vijim tha se ndërmarrja e iniciativës së Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar, ka për qëllim zhvillimin socio-ekonomik të barabartë, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, e rritjes së bizneseve të reja e prodhuese.
“Ne nuk jemi mjaftuar apo ndalur me kaq. Në mesin e skemave të dizajnuara nga Qeveria, njëra prej tyre është edhe Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar, prej të cilit nga viti 2021 e deri në vitin aktual 2024, janë përkrahur 901 projekte në vlerën rreth 7 milionë euro. Mbështetja për bizneset ka qenë e vazhdueshme dhe e lartë, për të siguruar qëndrueshmëri më të madhe si në të tashmen ashtu edhe për të ardhmen”.
“Ndërmarrja e iniciativës së Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar, ka për qëllim zhvillimin socio-ekonomik të barabartë, përmes krijimit vendeve të reja të punës, e rritjes së bizneseve të reja e prodhuese. Sepse, teksa prodhojmë vetë, nxisim produktivitetin e rivitalizojmë prodhimet e bizneset tona, jo vetëm së brendshmi, por edhe për të eksportuar e depërtuar në tregje edhe më të mëdha e ndërkombëtare. Të inkurajojmë të rinjtë e të rejat, sipërmarrësit e rinj, bizneset e vogla e të mesme, për t’u rritur më tej e për të kontribuar pozitivisht në jetën ekonomike e në progresin shoqëror të vendit tonë”.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka thënë se kanë arritur t’i mbështesin bizneset me makineri të reja të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese. Ai ka thënë se që nga hapja e thirrjes, kanë qenë mbi shtatë mijë aplikime, ndërsa vlera e projektit është 6 milionë e 875 mijë euro.
“Në këtë ceremoni të rëndësishme ne po nënshkruajmë kontratat e përfituesve dhe ky është një moment që reflekton angazhimin tonë, duke bërë çdo cep të vendit tonë një vend më të mirë për të punuar dhe jetuar. Me këtë program ne po investojmë në të gjithë vendin. Kryeministri ka qenë gjithmonë mbështetës në udhëheqjen e tij dhe ne kemi arritur një rezultat konkret për të zhvilluar vendin”.
“Ju përfitues jeni shembull që mund të arrini me përkushtim sepse ata përfaqësojnë potencialin e madh. Gjithmonë kemi qenë të gatshëm të mbështetim bizneset. Kemi arritur të krijojmë e të mbështesim bizneset me makineri të reja, si dhe të rrisim kapacitetet e tyre dhe për të krijuar mundësi që të krijojnë bizneset e tyre. MZHR gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 7 mijë e 564 aplikime nga aplikantët potencial në vlerë prej 6 milionë e 875 mijë euro”, ka thënë Damka.