Kurti: Qëllim – futja e kodimit si pjesë e integruar e kurrikulave shkollore të arsimit parauniversitar

Prishtinë | 21 Nën 2023 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ligjëratat që janë duke u bërë në shkolla për kodimin.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se qëllimi i ekzekutivit është që duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, kodimi të jetë pjesë e integruar e kurrikulave shkollore të arsimit parauniversitar.

“Nga 13 deri me 17 nëntor “Ora e kodimit” është mbajtur në 22 komuna tona. Mbi 20 mijë nxënës të klasave I deri XII, në 350 shkolla kanë mbajtur rreth 30 mijë orë kodim. Gjatë kësaj jave, nxënësit u njohën me parimet e kodimit, përdorimin e kodimit si gjuhë krijuese, të menduarit logjik dhe realizimin e projekteve inovative dhe kreative”.

“Integrimi i teknologjisë në arsim përmbush një objektiv kyç në Strategjinë tonë për Arsim dhe Digjitalizim. Ai shënon progres të rëndësishëm drejt të ardhmes së vendit tonë, ku teknologjia ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik”.

“Duke e përfshirë kodimin në rutinën ditore shkollore, hapim rrugën për një brez të ri krijuesish, inovatorësh dhe shkencëtarësh nga vendi ynë, të cilët mund të krijojnë dhe eksportojnë produkte dhe shërbime digjitale për tregun global”, ka thënë Kurti./Klankosova.tv

Të ngjashme