Kryeministri Albin Kurti është shprehur kundër Projektligjit për tërheqjen e 30 përqind të mjeteve nga Trusti, duke thënë se si Qeveri besojnë se problemi nuk zgjidhet duke rrënuar sistemin pensional të vendit, raporton EO.
Kurti ka thënë se nuk munden që një problem të së tashmes ta zgjidhin me rrënimin e së ardhmes.
“Ne e kemi të qartë që mjetet në Trust janë të qytetarëve por vetë natyra e tyre nënkupton që ato nuk vihen në institucion të interesave politike por të nevojave të pensionistëve”, u shpreh Kurti.
Ai tha se nga mbi 695 mijë llogari që janë të hapura në Trust, mbi 90 përqind e tyre, kanë të akumuluar më pak se 10 mijë euro, raporton Ekonomia Online.
“Afër gjysma nuk do t’i tërhiqnin më shumë se 100 euro, por ne ua kemi dhënë nga 100 euro. Cili është kuptimi që të rrënohet sistemi pensional, përveç se rrënimit”, pyeti Kurti.
Kurti foli edhe për krizën energjetike dhe implikimet për tregjet ndërkombëtare që i kanë shtrirë ndikimet edhe në Kosovë.
Sipas tij, ndër ndikimet është rritja e çmimeve edhe te produktet bazike.
“Qeveria i është përgjigjur këtyre ndryshime për të ndihmuar qytetarët nga kjo rritje e kostos së jetës. Te rasti i energjisë kemi vendosur që importin shtesë ta mbulojmë përmes subvencionimit”, ka thënë ai.
“Nisma për tërheqjen e trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i PDK-së i cili në një deklarim për media pas opinionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kishte thënë po të donte FMN-ja do të na jepte mjete tua jepnim qytetarëve dhe të mos e prekim Trustin. FMN-ja ka mjete të mjaftueshme. Ja pra kush po merret me financa e makroekonomi. Janë të njëjtë të cilët na kanë sjellë në këtë gjendje dhe po duan edhe ato pak të mira që i kemi arritur të na i rrënojnë. Të gjitha subjektet e dinë sa e rrezikshëm është prekja e trustit. Nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë edhe mbështetjen e listës serbe”.
“Unë nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence, nismëtari ka doktoratë, ka PHD. Nevojitet doktoraturë për një fizioterapist që ta sjellë një propozim të tillë në Kuvend”, shpreh Kurti.