Kurti, Quint-it për dinarin: Respektoni autoritetet e pavarura

Prishtinë | 27 Jan 2024 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar mbrëmë ambasadorët e vendeve të Quint-it (Gjermania, Italia, Franca, ShBA-ja dhe Britania) dhe shefin e BE-së në Kosovë, për të diskutuar mbi çështjen e valutave në vend.

Në takim, Kurti u ka thënë ambasadorëve se euroja është e vetmja valutë në Kosovë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ka kërkuar që kjo të respektohet.

“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

BQK-ja njoftoi kah mesi i janarit se është miratuar një rregullore e re më 27 dhjetor, ku thuhej se nga 1 shkurti, euroja do të jetë valuta e vetme në Kosovë.

Ky vendim ka nxitur reagimet e Serbisë dhe të ndërkombëtarëve. ShBA-ja, BE-ja, Britania e Gjermania i kanë bërë thirrje Qeverisë ta shtyjë zbatimin e vendimit.

Të ngjashme