Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të sotëm të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Serbia dhe Rusia e kanë kryer punën e tyre si shtete shoviniste, ndërkaq që Kosova nuk e ka kryer punën e saj, raporton lajmi.net.
Sipas Kurtit, me liderët aktual, nuk mund të priten rezultate tjera.
Ky është postimi i plotë i Kurtit në Facebook:
Pas dështimit për anëtarësim në UNESCO, Kosova dështoi për t’u anëtarësuar edhe në INTERPOL. Me këta njerëz të njëjtë që na përfaqësojnë dhe prijnë me shtetin nuk mund të kemi rezultate të tjera. Në këtë dështim kishte gjithçka përveç rastësisë. As nuk dinë dhe as nuk duan të përgatiten. Nuk shkojnë jashtë vendit si zyrtarë të përgjegjshëm të shtetit tonë por si personalitete të show-biz-it ndërkombëtar siç e imagjinojnë veten. Thaçi e Pacolli nuk ishin në Konferencën për INTERPOL në Dubai. Thjesht, ata ishin vetëm në Dubai. Serbia dhe Rusia e bënë punën e tyre shoviniste ashtu qysh i kemi njohur gjithmonë, por këta dy punën e kujt e bënë?