Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lajmit për vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendit.
Kurti ka shkruar në Facebook, se lajmin për vrasjen e Kelmendit, e ka marrë herët nga ministria e pastaj nga mediat.
I pari i qeverisë ka kërkuar nga prokuroria dhe policia që ta trajtojnë me të gjitha kapacitetet atë që e ka quajtur vrasje mizore.
“Herët nga ministria e pastaj nga mediat mësuam se është vrarë dhe djegur në makinën e tij, Qerim Kelmendi, ish ushtar i UÇK-së. 21 vjet pas luftës, në kohë të paqes, askush nuk duhet të jetojë me ndjenjën e frikës e sidomos ata që sakrifikuan më së shumti. Policia dhe prokuroria duhet ta hetojnë me gjithë kapacitetin e tyre këtë vrasje mizore që është më shumë se krim”, ka shkruar Kurti në Facebook.